Kosovë, nis punimet Konferenca ndërkombëtare Ndërfetare

28/05/2015 00:00

Pasditen e së enjtes, në Prishtinë ka nisur Konferenca e 4-t ndërkombëtare Ndërfetare. Në këtë konferencë do të nxirret në pah roli, përvoja dhe kontributi i Kosovës dhe rajonit në debatin global mbi promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në hapjen zyrtare të kësaj konference tha se, feja nuk mund të përdoret për qëllime të tjera, përveç promovimit të paqes.

“Besimet tona të ndryshme fetare duhet të na bëjnë bashkë dhe jo të na ndajnë në punën tonë të përditshme, në ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve tona, në përpjekjet për të ndryshuar të kaluarën e rëndë, dhe për të afruar njerëzit më afër ndaj njëri-tjetrit, për ta mundur të keqen, që mund të kërcënojë cilindo prej nesh. Feja nuk mund të shpërdorohet për asnjë qëllim tjetër dhe ajo nuk mund të ketë mision më të madh, sesa promovimin e paqes”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

Përfaqësues të besimeve fetare në Kosovë vlerësuan organizimin e konferencave të tilla, si shumë të rëndësishme për dialogun fetar, e cila kontribuon në harmoninë ndërfetare, veçanërisht në vende shumëetnike, e shumëfetare si Kosova.

“Liria e besimit dhe manifestimi i tij janë një vlerë dhe një parim global. Arsimimi dhe edukimi nuk kanë alternativë, por indoktrinimi duhet të demaskohet dhe mënjanohet, pa marrë parasysh se me çfarë petku është veshur ai. Besoj se, edhe këtu, si edhe në shumë çështje të tjera, duhet të jemi unikë si shoqëri”, tha Ejup Ramadani, myfti nga Bashkësia Islame e Kosovës.

“Dialogu ndërfetar mbështetet doemos, së pari, në Zotin, burimin tonë të përbashkët dhe zanafillën e vëllazërisë gjithënjerëzore, dhe në jetën tonë fetare, shpirtërore, ku falja dhe pajtimi, kërkimi i faljes, ndërrimi dhe përmirësimi ynë, janë virtyte të gërshetuara mes hyjnores dhe njerëzores dhe dëshmisë se besmitarët dëshirojnë të jetojnë në harmoni me vetveten, me njëri-tjetrin dhe me Zotin”, tha Don Lush Gjergji, Vikari i përgjithshëm i Kosovës.

“Në Kosovë e kemi situatën konkrete, ku shumica e popullsisë ndjekin traditën islame. Por disa nga anët më të rëndësishme i përkasin traditës së krishterë. A ka të bëjë kjo me mospajtim? Jo! Do të thoja, që kjo është një pasuri dhe mundësi për të ndërtuar baza fetare të përbashkëta dhe reciproke”, tha Sava Janjiç, Igumeni i Manastirit të Deçanit.

Në mesin e më shumë se 200 pjesëmarrësve, në konferencë do të ketë edhe delegatë nga Afganistani, shtete të Amerikës së Jugut dhe Nigerisë, për të shkëmbyer ide për mënyrat e luftimit të ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes në internet.

Top Channel