Të marrësh para hua, në banke, tek një mik apo tek prindërit, është një fenomen botëror.

Mesatarisht dy në pesë persona marrin borxh në ditët e sotme, edhe pse sipas “The Guardian”, numri i huamarrësve në veri apo jug të globit, ndryshon në mënyrë drastike.

Sipas një sondazhi të “World Bank Gallup”, kur të anketuarit janë pyetur se ku do të drejtoheshin për të kërkuar para nëse do t’i duheshin patjetër në një moment emergjent, është surprizues fakti që shumica  nuk do të shkonte në bankë. Vetëm më pak se 1% e njerëzve do të gjenin ngushëllim në një kredi. Sipas ekspertëve kjo për arsye se bankat tashmë luajnë me interesa shumë të larta në treg.

Në hartën që “The Guardian” i ka kushtuar numrit dhe  shpërndarjes së huamarrësve në botë, Shqipëria rezulton se 56% e popullsisë ka marrë para hua. 43% e shqiptarëve e kanë marrë borxhin nga familjarët e tyre, ose ndryshe nga “banka e mamit dhe babit”, shkruan britanikja.

Në ndryshim me Perëndimin, ku fëmijët e marrin më herët pavarësinë nga prindërit, këta të fundit në rast nevoje u drejtohen institucioneve apo miqve për të marrë para borxh.

Ndërkohë, huamarrësit në Shqipëri e kalojnë dhe gjysmën e numrit të banorëve, duke thyer njëkohësisht edhe rekordin në rajon. Shqipëria ndiqet nga Mali i Zi dhe Maqedonia. Ndërsa në Kosovë më pak se 20% të njerëzve  u rëndon mbi shpatulla përgjegjësia e një borxhi.

Po ku shkojnë këto para? Në Shqipëri 22% marrin borxh për nevoja shëndetësore, 12% për studime, 9% për raste vdekjesh, e ndërsa 4% kërkojnë suport financiar për të hapur një biznes. Por në përgjithësi ajo që zbulon indeksi i “Findex”, është se shumë pak njerëz në botë, edhe ata që jetojnë në vendet më të zhvilluar,  nuk e kanë një llogari të veçantë bankare, për ta përdorur në raste të papritura fatkeqësish. Kur janë pyetur nëse do të ngrinin një fond të tillë rezervë, pak njerëz janë të predispozuar për të marrë një nismë të tillë. Ekspertët shtojnë se ky është impakti i ngërçit ekonomik që tashmë kë përfshirë globin.

Top Channel