Skandali i FIFA-s, Putin: Komplot për largimin e Blatter

29/05/2015 00:00

Skandali i FIFA-s nuk ka mbetur pa u komentuar edhe nga Rusia, e cila e ka cilësuar atë si një komplot për largimin e presidentit aktual Sepp Blatter.

Vladimir Putin ka thënë se hetimet kanë për synim heqjen e Blatter nga posti i presidentit, të cilin e mban prej vitesh. Gjithashtu presidenti rus ka shtuar se kreu i FIFA-s është sulmuar edhe për shkak të mbështetjes së tij ndaj Rusisë për organizimin e Kampionatit Botëror të 2018-ës. 

“Ne dimë presionin që është ushtruar mbi Blatter-in për të anuluar mbajtjen e Kupës së Botës në 2018-ën në Rusi”, tha Putin.

Ai më pas ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se kanë organizuar një fushatë kundër zviceranit. “Unë nuk kam asnjë dyshim në lidhje me të gjithë këtë. Kjo është një përpjekje e qartë për të parandaluar rizgjedhjen e Blatter-it”, shtoi presidenti ti Rusisë.

Ndërkohë, në hapje e Kongresit të 65-të të FIFA-s në Zyrih të Zvicrës, udhëheqësi i këtij institucioni Sepp Blatter hodhi poshtë akuzat që lidhin emrin e tij me korrupsionin në FIFA, si dhe ka lënë të nënkuptohet se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqjen.

Zvicerani që është në krye të FIFA-s që nga viti 1998 dhe të premten do kërkojë mandatin e pestë radhazi, ka thënë se do bashkëpunojë me autoritetet në luftën kundër korrupsionit dhe se sikurse ka në shoqëri njerëz të korruptuar, ashtu ka edhe në botën e futbollit.

Top Channel