FIFA voton sot për presidentin, Sep Blatter favorit

29/05/2015 00:00

Sot (e premte) mbahen zgjedhjet presidenciale në FIFA. Institucioni më i lartë i futbollit është tronditur nga skandalet e fundit. FBI arrestoi shtatë zyrtarë për korrupsion, ndërsa në hetime janë përfshirë edhe shumë të tjerë, madje edhe vetë Sepp Blatter. Ky i fundit e pranoi të enjten pasdite se FIFA-n e presin muaj të vështirë dhe lajme akoma më të këqija.

Joseph benjamin Blatter, kolonel në pension i Ushtrisë Zvicerane, mund të ketë kaluar netë pa gjumë, por numrat ende janë në favorin e tij dhe të shtunën mund ta gdhijë si i pari i FIFA-s edhe për një mandat tjetër katër vjeçar, që do e mbante aty deri më 2019.

Rivali i tij në këto zgjedhje është djali i tretë i Mbretit të Jordanisë, Princi Ali Bin Al-Husein, por pa shumë ndikim në shumicën prej federatave anëtare të FIFA-s. I vetmi që ka lobuar për të ka qenë Michel Platini, i cili ka tentuar të unifikojë votën e federatave europiane, por edhe ai e ka pranuar se ka hasur në vështirësi.

Kush voton?
Të drejtë vote në zgjedhjet e pasdites së sotme (e premte) kanë të gjitha federatat anëtare. 209 delegatë nga 209 federata. Nëse i ndajmë sipas numrave, atëherë Konfederata Afrikane ka 54 vota, UEFA 53, Konfederata Aziatike 46, Konfederata e Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve 35, Konfederata e Oqeanisë ka 11 vota dhe Konfederata e Amerikës së Jugut 10.

Për t’u shpallur president i FIFA-s nevojiten 2/3 e votave nga votimi i parë, ose ndryshe 140 vota nga 209 votues. Por, mund të ketë një votim të dytë në rast se nuk arrihet shumica e cilësuar, dhe kalohet në shumicë të thjeshtë ku mjaftojnë 105 vota për të fituar.  

Pse Blatter favorizohet?
Zvicerani ka një mbështetje të madhe nga Afrika dhe Azia, votat e të cilave e kanë mbajtur aty ku është, shtuar edhe federatave tjera nga pjesët tjera të botës. Vetëm Europa duket më e qartë dhe më e prirur t’i dalë kundër Blatterit, por kjo nuk mjafton.

Blatter parashikohet të fitojë në raundin e dytë të votimeve, atë me shumicë të thjeshtë, pasi fillimisht Konfederata e Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve mund të rreshtohet në frontin anti-Blatter. Njerëzit nga bota e futbollit e kanë të qartë se do të duhet një mrekulli për ta rrëzuar nga froni 79-vjeçarin.

Parashkimiet
Jo vetëm njerëzit e botës së futbollit janë kundër Blatter, por në mes ka hyrë edhe politika. Shumë udhëheqës kanë kërcënuar se mund të ndërmarrin masa në rast se rizgjidhet Blatter.

Cameron në Angli dhe Hollande në Francë janë kundër zviceranit ndërsa edhe OKB është distancuar nga Blatter. Në anën tjetër, ka një presion të madh që vjen nga UEFA, pasi Michel Platini nuk e dëshiron më 79-vjeçarin në krye të FIFA-s.

FIFA e di shumë mirë se pa mbështetjen e UEFA-s nuk do ta ketë të lehtë. Nëse Botërori arkëton miliarda euro është për shkak se kombëtaret ose ekipet europiane janë të forta dhe bëjnë një kompeticion më të bukur. Mediet ndërkombëtare thonë se Blatter me gjithë këtë presion nuk do të mund të qëndrojë për më shumë se një vit në krye të FIFA-s, gjithmonë nëse rizgjidhet pasditen e sotme.

Top Channel