Matura Shtetërore, 46 mijë maturantë testohen sot në gjuhë dhe letërsi

29/05/2015 00:00

Rreth 46 mijë maturantë në mbarë vendin do t’i nënshtrohen sot provimit të gjuhës shqipe dhe letërsisë. Rezultatet e këtij provimi ndikojnë në formulën e maturës shtetërore, pasi në përfundim të procesit do të llogariten për pikët e pranimeve në universitetet e vendit.

Zv.Ministrja e Arsimit Nora Malaj, thotë për programin e mëngjesit “Wake Up” se ministria ka marrë të gjitha masat infrastrukturore, logjistike dhe mbështetëse, me qëllim garantimin e një procesi tërësisht normal dhe në përputhje me Rregulloren e Maturës Shtetërore 2015.

“Në të gjithë Shqipërinë janë 213 qendra ku zhvillohen provimet e Maturës Shtetërore. Provimi do të nisë në orën 10:00 dhe zgjat dy orë e gjysmë. Ministria e Arsimit ka marrë të gjitha masat që çdo gjë të shkojë mbarë”, u shpreh Malaj.

E pyetur mbi shkallën e vështirësisë, Malaj thotë se provimi do të jetë i një niveli mesatar. Ajo u ka bërë thirrje të gjithë maturantëve që të bëjnë kujdes, të mos lëvizin nga vendi që u caktohet, të mos kopjojnë, të mos bëjnë komente për përmbajtjen e testit dhe të mos i marrin telefonat celularë me vete.

“Sipas procedurës së Maturës Shtetërore, maturantët që kapen me telefona me vete do të përjashtohen nga provimi. Në këto ambiente do të ketë edhe bllokues të valëve të telefonisë celulare, në mënyrë që maturantët të mos kopjojnë”.

Pas gjuhës shqipe dhe letërsisë maturantët do t’i nënshtrohen provimit të matematikës në datën 9 qershor dhe në 19 qershor atij të lëndëve me zgjedhje.

Top Channel