Kosovë, shtyhet seanca e Kuvendit për Gjykatën Speciale 

29/05/2015 00:00

Kuvendi i Kosovës ka shtyrë seancën, ku do të hidheshin për votim ndryshimet kushtetuese për krijimin e Gjykatës Speciale. Grupet parlamentare të koalicionit qeveritar kërkuan shtyrjen, duke e motivuar kërkesën me mungesën e projektligjit për Gjykatën Speciale.

“Në mungesë të materialeve, për të cilat vlerësojmë se duhet të debatojmë, me qëllim që deputetëve t’u ofrohet mundësia për të parë se, çfarë kemi përpara për të votuar. Meqë projektligji pritet të na vijë nga Brukseli, e më pas duhet të përkthehet në gjuhën tonë dhe t’u ofrohet deputetëve, ne propozojmë që kjo seancë të shtyhet, deri kur t’i kemi materialet e nevojshme për t’i analizuar”, tha Adem Grabovci, shef i grupit parlamentar të PDK-së.

Pavarësisht arsyetimeve në seancë, burime brenda Kuvendit kanë sqaruar se, mungesa e votave të nevojshme ishte arsyeja e vërtetë e shtyrjes së seancës. Mësohet se, dënimi i ashpër i ish-eprorëve të lartë të UÇK-së, dy ditë më parë, ka lëkundur deputetët dhe udhëheqësinë e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kjo u vërtetua edhe nga kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, i cili pak minuta pas shtyrjes së seancës ka shkruar në Facebook se, aktgjykimi për “Grupin e Drenicës” e vë në dilemë synimin për drejtësi dhe është tendencë për të njollosur luftën e drejtë të UÇK-së, por edhe vetë drejtësinë. Sipas Thaçit, kjo tendencë tanimë nuk mbulohet nga asgjë dhe askush.

Përfaqësues të partive politike dhanë vlerësime të ndryshme për shtyrjen e seancës.

“Ajo që mund të konfirmoj është se, brenda grupit parlamentar të LDK-së, ashtu si edhe në të kaluarën, ka një mendim mbizotërues se, nëpërmjet votimit të Gjykatës Speciale ne, jo vetëm që kryejmë një detyrim ndërkombëtarë, por sigurojmë që të parandalojmë një skenar shumë më të keq, një draft nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, elementet e të cilit i kemi parë”, tha Vjosa Osmani, deputete e LDK-së.

“Jemi shumë të kënaqur që është shtyrë. Mirëpo konsiderojmë se nuk duhet të shtyhet, por nuk duhet të vijë fare”, tha Donika Kadaj-Bujupi, deputete e AAK-së.

“Tani nuk dua të hyj te spekulimet se çfarë ka ndodhur brenda, por unë fola në parim dhe dua të besoj, që frymëzimi i vetëm pse deputetët e Parlamentit të Kosovës nuk duhet të votojnë është kjo: ne nuk kemi mandat të votojmë kundër sovranitetit të shtetit tonë. Në asnjë rrethanë, për asnjë çmim”, tha Fatmir Limaj, deputet i “Nisma për Kosovën”.

Shtyrja e Gjykatës Speciale për javën tjetër ka alarmuar menjëherë ambasadoren amerikane dhe ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, të cilët janë parë duke shkuar në takim me kryeministrin, Isa Mustafa, dhe zëvendëskryeministrin, Hashim Thaçi. Mustafa dhe Thaçi kanë zhvilluar takime edhe një natë më parë, me Presidenten Atifete Jahjaga.

Kjo e fundit ka bërë të ditur se, ka folur me Mustafën e Thaçin për Gjykatën Speciale, por zyra e Thaçit ka përgënjeshtruar njoftimin e zyrës së Presidentes, duke thënë se është folur për çështje të tjera.

Top Channel