Britania kërkon reformim të BE-së

29/05/2015 00:00

David Cameron do të përpiqet të bindë kancelaren gjermane Angela Merkel në bisedimet e sotme kokë më kokë të mbështesë përpjekjen e tij për reforma më të thella të Bashkimit Europian.

Berlini pret me vëmendje të mësojë si e përfytyron saktësisht kryeministri i Britanisë një BE të reformuar. Nga sa i pohoi më herët BBC-së shefi i diplomacisë britanike, Philipp Hammond, kërkesa është të hartohet një paketë “substanciale reformuese”, përndryshe u shpreh ai, “ne nuk do ta fitojmë referendumin”.

Mjaft vende anëtare të Bllokut e shohin me skepcitizëm kryeministrin Cameron, por në Gjermani ai duket se pritet të marrë një qëndrim mjaft të hapur. Pretendimi i Cameron për liderët europianë është të tregohen “fleksibël dhe me imagjinatë”.

Por zërat kundër nuk mungojnë as në Gjermani. Një prej binzesmenëve kryesorë në vend, zv.shefi ekzekutiv i Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë, Volker Treier, u shpreh se e gjithë bota gjermane e biznesit është e befasuar edhe nga vetë fakti që Mbretëria e Bashkuar po mban një referendum për qëndrimin ose jo në Bashkimin Europian.

I pyetur sa larg duhet të shkojë Merkel në plotësimin e pretendimeve të Londrës, ai dha këtë përgjigje: “Rekomandimi ynë është të mos bëhet marrëveshje në rrethana të tilla”.

Cameron, i cili sot viziton gjithashtu edhe Poloninë, nuk i ka publikuar detajet e planit të tij të reformave, por shtypi ka mësuar se ai përfshin, ndër të tjera, rregulla më të ashpra sa u takon përfitimeve sociale të emigrantëve.

Komisioneri i BE-së, Günther Oettinger, e ka bërë të qartë më parë se Blloku është i gatshëm të mos i shfrytëzojë mbase të gjitha kompetencat e tij, por një rikthim formal i fuqive në nivel kombëtar nuk ka gjasa të ndodhë.

Top Channel