Vuçiç shprehet pro naftësjellësit të mbështetur nga SHBA-ja

29/05/2015 00:00

Vizita e Aleksandar Vuçiçit në Shqipëri ishte një moment i rëndësishëm kthese në marrëdhëniet mes dy vendeve, por mesazhet e përcjella nga kreu i ekzekutivit serb dëshmojnë edhe një ndryshim aspak të vogël mendësie, jo vetëm thjesht në raport me fqinjësinë e mirë.

Duke cituar pohimet e Vuçiçit për ‘Associated Press’, ‘Zëri i Amerikës’ thotë se kryeministri serb ka përcjellë ndër të tjera edhe gadishmërinë e vendit të tij për të pranuar thirrjet e Uashingtonit lidhur me uljen e varësisë nga gazi rus e për të ofruar mbështetje për projektin e sjelljes së naftës azere në Europë, i cili mbështetet nga Amerika.

Në intervistën e dhënë agjensisë prestigjoze të lajmeve, Vuçiç tregon se Serbia është e gatshme të mbështesë diversifikimin e burimeve energjitike, një aspekt ky i rëndësishëm edhe për Shtetet e Bashkuara. Këto të fundit i kanë inkurajuar vendet e Ballkanit të përkrahin projektin Trans-Adriatik, që do të sjellë naftë nga Azerbajxhani drejt Italisë, e të mos i ofrojnë mbështetjen e tyre një projekti për transportimin e naftës ruse nëpërmjet Turqisë.

Perëndimi e ka akuzuar Rusinë se përdor naftën si një mjet për të rritur influencën politike mbi vende si Serbia. Serbia është aleate tradicionale e Rusisë, por njëkohësisht dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.“Nuk ka lidhje me balancat. Synimi ynë strategjik është rrugëtimi ynë drejt BE-së. Sigurisht, duam që edhe të ruajmë marrëdhënie të mira me Rusinë, por qëllimi ynë është BE-ja dhe këto nuk shërbejnë si kundërpeshë për njëra-tjetrën. Pra, ne e dimë rrugën tonë, por nuk dëshirojmë të krijojmë përplasje me miqtë tanë tradicionalë,” citohet të ketë thënë Vuçiç. 

Serbia ka shprehur më parë interesim për projektin e mbështetur nga Moska, të quajtur Turkish Stream. Ofrimi i mbështetjes tashmë për një tubacion të mbështetur nga SHBA-ja, është një ndryshim kryesor politikash që nuk do të shihet me sy të mirë nga Moska. Në mesin e krizës me Perëndimin për Ukrainën, Rusia anulloi vjet planet për ndërtimin e një tjetër naftësjellësi përmes Europës Jugore, i cili do të kalonte edhe përmes Serbisë.

Top Channel