Dhjetë gjërat që (nuk) bëjnë njerëzit elegantë

29/05/2015 00:00

Një mënyrë shumë e suksesshme për të hequr disa kile të tepërta është njohja me zakonet që bëjnë dhe nuk bëjnë njerëzit elegantë. Ata nuk fokusohen aspak te dietat, por te një stil jete rigoroz. Ja se çfarë duhet të dini…

ë kesh peshën e duhur nuk është një çështje fati. Për t’ia arritur, ju duhet t’i jepni organizmit tuaj instruksionet e duhura. Për shembull, se si mund të harxhoni më shumë energji, si të përfitoni më mirë nga substancat ushqyese pa grumbulluar yndyra etj. Këshillat në vijim mund t’ju ndihmojnë që të keni një objektiv të qartë dhe të fitoni besim në vetvete e mbi të gjitha, të përfitoni diçka që u përafrohet ritmeve që ndjekin personat elegantë.

Nuk e përfundojnë të gjithë pakon me biskota

Gjesti i të përfunduarit të çdo ushqimi është një zakon i keq. Ideja për të përtypur shumë dhe në mënyrë të keqe, është e rrezikshme. Ekziston tendenca për të ngrënë automatikisht, ndërkohë që bëni diçka. Po nuk ka asgjë më të gabuar sesa kjo gjë. Nëse do të ndiqni ritmin e personave elegantë, ju këshillohet që të merrni për shembull vetëm racionin për të cilin keni nevojë, katër ose pesë biskota, një tas të vogël me patate të skuqura etj. Shijoni pak nga çdo gjë, por asnjëherë mos e tejkaloni…

Nuk mendojnë të qëndrojnë gjithmonë në dietë

Nuk ka asgjë më të keqe sesa t’i ndaloni vetes diçka, sepse përndryshe, ju do të keni më shumë dëshirë për ta pasur atë. Del në pah fëmija që të gjithë mbajnë brenda vetes e që rebelohet. Një pjesë e madhe e personave të cilët janë në formë të mirë trupore, nëse kanë dëshirë për të ngrënë diçka të veçantë, e konsumojnë një pjesë të vogël të saj, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të largojnë “nepsin”.

Nuk ndihen fajtorë se ndonjëherë kanë më shumë uri sesa zakonisht

Është e rëndësishme që t’i lejoni vetes ndonjëherë një “teprim” në ushqyerje, por ama bëni kujdes me ndjesinë që mund të lindë më pas. Nëse ajo që do të dominojë do të jetë ndjenja e fajit, do t’ju stresojë patjetër. Dhe dihet se kur jemi të stresuar, në organizëm prodhohen ndryshime hormonale. Një nga hormonet që rritet, është grelina, përgjegjëse për urinë. Sa më shumë ndjesi faji dhe stres të keni aq më shumë të uritur do të jeni. Nëse nuk e “shkatërroni” këtë rreth vicioz, është shumë e vështirë që ju të mund të rimerrni kontrollin.

Nuk flasin gjatë gjithë ditës për ushqimin

Pasja e një jete aktive pa u stresuar, është mënyra më e mirë për t’u dhënë gjërave vlerën që kanë. Të gjithë i njohim të moshuarit që pothuajse të gjitha bisedat i çojnë po në një drejtim, te rrëfimi se çfarë kanë ngrënë dhe se çfarë do të konsumojnë. Dhe kur ushqimi transformohet në aksin qendror të marrëdhënieve tuaja sociale dhe familjare, marrëdhënia me ushqimin përfundon së qenë e shëndetshme.

Nuk thonë se kanë sukses për pamjen e tyre fizike

Është e qartë se jetojmë në një shoqëri kërkuese ku paraqitja është shumë e rëndësishme, por kur ekziston ekuilibri psikik dhe emocional, arrihet në bindjen se ajo nuk është gjithçka: vlera personale nuk varet nga harkimet e trupit.

Besojnë në vetvete

Nëse nuk keni menduar ende një plan zbatimi për të humbur disa kile, tashmë është momenti. Shkruani objektivat që mund të jenë të arritshme, shënoni kur do t’i arrini dhe për sa kohë. Por duhet të keni një plan “antikrizë”, nëse diçka do të shkonte keq. Nëse do ta keni një të tillë, atëherë ai do t’ju ndihmonte që të dilni nga vështirësitë dhe t’ju kthejë besimin në vetvete për gjithçka që mund të bëni.

Pasdite, në vend që të hanë bëjnë një sy gjumë

Të gjithë, absolutisht të gjithë, në periudha ankthi tentojnë të konsumojnë më shumë. Nëse pasi keni ngrënë keni ende uri, nuk është organizmi juaj ai që ka nevojë për ushqim, por mendja. Nuk është uri reale. Një sy gjumë mund të bëjë mrekulli. Do ta shihni se, duke u qetësuar, nuk do të keni më dëshirë për të ngrënë. Përfitoni për të marrë diçka të lëngshme dhe ushqyese, një suko frutash për shembull.

Në fundjavë praktikojnë pasione dhe hobi 

Siç po thoshim, të menduarit dhe të folurit gjithmonë për ushqimin mund t’ju bëjë që të keni më shumë uri. Ndaj ju duhet ta hiqni mendjen nga ushqimi dhe ta përqendroni atë te ndonjë pasion çfarëdo. Bëni një listë të dy ose të tre hobive që ju pëlqejnë të bëni dhe përkushtojini ndonjë orë në fund të javës.

Tejkalojnë përtacinë, që ndonjëherë na kap të gjithëve

Me një orë ecje me ritëm të shpejtë, ju mund të digjni 350 kalori; ndërsa për një orë e gjysmë 500. Nuk ju kushton asgjë të bëni diçka të tillë, problemi është ngadhënjimi mbi dembelizmin. Ky është momenti që shënjon ndryshimin mes personave elegantë dhe aktivë, nga ata që e lejojnë veten t’i mundë dembelizmi. Nëse i bëni disfatë, trupi juaj do t’ju falënderojë duke marrë rezultatin që aq shumë dëshironi.

Kujtojnë gabimet që kanë bërë

Këtë gjë nuk e bëjnë për t’u mërzitur, por për të pasur parasysh se, nëse dëshirojnë të arrijnë qëllime të sakta, të pakapshme, duhet të ndryshojnë mënyrën e të bërit të gjërave. Gabimet janë të paevitueshme, është normale, por është e rëndësishme që gabimet t’i transformoni në avantazhe.

 

Gazeta “Shqip”

Top Channel