“Monstra”, familjarët e të dënuarve: Të zbardhet e vërteta, Zaev të publikojë materialet

29/05/2015 00:00

Familjarët e të dënuarve lidhur me rastin “Monstra” kërkojnë nga kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, sa më shpejt t’i publikojë materialet që disponon për vrasjen e pesëfishtë të maqedonasve, që ndodhi në prill të vitit 2012, në afërsi të liqenit të Smilkovict në Shkup. Për këtë vrasje u akuzuan dhe u dënuan me burg të përjetshëm 7 shqiptarë.

“Kërkojmë nga Zoran Zaev që menjëherë t’i publikojë materialet që disponon, në mënyrë që mos të sfidojë ndjenjat e familjarëve dhe të gjithë shqiptarëve. Deklarata e Zaevit ishte e prerë për gazetën gjermane ‘Die Zeit’. Ne, si këshill dhe familjarë, patjetër do të reagojmë, në mënyrë të vendosur e pa kompromis, për lirimin e të burgosurve pas pranimit publik të pafajësisë së të burgosurve”, ka deklaruar për mediat Bedri Hajdari, përfaqësuesi i Këshillit të familjarëve për lirimin e të dënuarve të pafajshëm për rastin “Monstra”.
 
Sipas Hajdarit, ky Këshill nuk mund të pranojë mbajtjen e mëtejshme nëpër burgje të familjarëve të tyre të pafajshëm. “Ne si Këshill bëjmë me dije se durimi i familjarëve dhe i shqiptarëve në përgjithësi është vënë në sprovë, pas pranimit publik të pafajësisë nga Zaev”, ka pohuar Hajdari.
 
Ndërkohë, pas tetë muajve nga paraqitja e ankesës, Gjykata e Apelit ka caktuar që seanca për rastin “Monstra” të mbahet më 6 korrik, kur mbushet një vit nga shpallja e akt-gjykimit të shkallës së parë.

Top Channel