Protestë kundër Gjykatës Speciale: Do të barazojë luftën e UÇK-së me të autorëve të krimeve

29/05/2015 00:00

Qindra qytetarë protestuan para ndërtesës së Parlamentit të Kosovës, kundër Gjykatës Speciale dhe vendimit ndaj “Grupit të Drenicës”.

Gjatë kohës që zhvillohej seanca për Gjykatën Speciale, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, si organizatorë të protestës, e vlerësuan atë si tendencë për barazimin e luftës së UÇK-së me autorët e krimeve në Kosovë.

Sipas kryetarit të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Smajl Elezi, dënimi pak ditë më parë i “Grupit të Drenicës” tregon qartë, se sa e dëmshme është për Kosovën një gjykatë e tillë.

“Dënimi i fundit themelor në Mitrovicë tregoi se, nuk kemi të bëjmë aspak me një përpjekje juridike për të vendosur sundimin e ligjit, por për të realizuar politika të caktuara kompromisesh jo parimore, në kurriz të luftës sonë çlirimtare, duke dënuar bartësit e merituar të kësaj historie”, tha Smajl Elezi, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Në kohën kur po fillonte seanca plenare, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, iu bashkëngjit për pak minuta protestuesve, duke vlerësuar si të drejtë kërkesën e tyre.

“Kjo protestë e juaja, ky organizim i juaji është në mbrojtje të vlerave, në mbrojtje të UÇK-së, në mbrojtje të luftës sonë. Kjo, sepse kemi bërë luftë kundër Serbisë, kundër shtetit serb, kundër atyre që na kanë sunduar për 100 vjet”, tha Nait Hasani, deputet i PDK-së.

Pas shtyrjes së seancës parlamentare për Gjykatën Speciale, deputetetët e opozitës u shfaqën para protestuesve, duke deklaruar se shumica nuk i kishte votat e mjaftueshme për të votuar ndryshimet kushtetuese.

“Deklarimi i kryetarit të grupit parlamentar të PDK-së, se nuk e kanë materialin e nevojshëm, në fakt tregon se ata, votat e deputetëve dhe vetë deputetët i konsiderojnë si materiale. Pra, ata nuk e kishin të mjaftueshëm numrin e votave, por jo se u ka munguar materiali”, tha Albin Kurti, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Po t’i kishin votat, do ta kishin votuar. Por meqë nuk i kanë votat, kanë kërkuar hapësirë për t’i shantazhuar edhe më tutje deputetët”, tha Zafir Berisha, deputet i “Nismës për Kosovën”. Me të marrë lajmin e shtyrjes së seancës, protestuesit u shpërndanë.

Top Channel