Kongresi i FIFA-s rifillon punimet pas alarmit fals për bombë

29/05/2015 00:00

Policia zvicerane ka bërë të ditur këtë të premte se kanë nisur hetimet për një kërcënim anonim për bombë në Kongresin e FIFA-s në Zyrih, i cili shkaktoi panik dhe detyroi autoritetet policore të kërkonin për ndonjë mjet shpërthyer në ambientet përreth.

Kërcënimi erdhi përmes një telefonate në një redaksi lajmesh me seli në Zyrih, mëngjesin e së premtes, siç deklaron policia e qytetit të Zyrihut, e cila shton se askush nuk u evakuua nga Kongresi i FIFA-s.

Gjithsesi, pjesëmarrësve në këtë event madhor të futbollit botëror, të cilët kishin marrë një pushim 45-minutësh më herët nga sa ishte planifikuar për të ngrënë drekë, fillimisht iu ndalua të rihynin në auditoriumin ku mbahet kongresi, ndërkohë që oficerët e policisë kërkuan për ndonjë pajisje shpërthyese.

“Pas kërkimeve, rezultoi se nuk kishte asnjë mjet shpërthyes dhe mjediset ishin mëse të sigurta për të vijuar më tej me punimet e kongresit”, tha Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke, menjëherë pasi nisën punimet e tij.

Pjesëmarrësit në Kongres dhe përfaqësues të medieve u lejuan të hynin në të pas kërkimeve, të pashqetësuar nga ndonjë masë shtesë për sigurinë e tyre.

Top Channel