Ahmeti fton BE-në dhe SHBA-në të ndihmojnë për zgjidhjen e krizës në Maqedoni

29/05/2015 00:00

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, u takua të premten, në Shkup, me z. Alojzo Peterle, kryesues i komisionit të përbashkët parlamentar të Parlamentit Europian dhe Parlamentit të Maqedonisë.

Në takim u diskutua rreth krizës aktuale politike në vend, dialogut politik dhe perspektivës euroatalntike të Maqedonisë.
 
Z. Ahmeti e njohu ish-kryeministrin e Sllovenisë, Peterle, aktualisht eurodeputet, mbi përpjekjet e BDI-së për të iniciuar dialog politik midis liderëve të katër partive më të mëdha në vend, si dhe me qëndrimet konkrete të Bashkimit Demokratik për Integrim në këto takime.
 
BDI konsideron që “çdo krizë është edhe një dritare e re e mundësisë dhe, nëse nuk mungon përkushtimi i Brukselit dhe SHBA-së, atëherë nga kjo krizë do të dalim edhe më të fortë dhe me drejtim shumë të qartë euroatlantik”.
 
Prandaj, z. Ahmeti ftoi Bashkimin Europian dhe vendet anëtare të BE-së që bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës “të përfshihen në mënyrë më aktive e të drejtëpërdrejtë, për ta ndihmuar zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, zgjidhje që do të jetë në dobi të vendit, rajonit dhe komunitet euroatlantik”.
 
Nga ana e tij, z.Peterle theksoi inkurajimin e Bashkimit Europian për ta tejkaluar krizën politike në Maqedoni dhe gatishmërinë e institucioneve të Brukselit për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje.

Për situatën e fundit në Maqedoni, me zotin Peterle ka biseduar edhe Menduh Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në opozitë.

Gjatë takimit kokë më kokë me deputetin evropian, kreu i PDSH-së ka thënë se rruga e vetme për të dalë nga kjo situatë është arritja e një marrëveshje të qëndrueshme mes 4 partive krysore në vend, me ndërmjetësim ndërkombëtar.

Sipas tij, në këtë mënyrë do të përshpejtohej zgjidhja e problemeve të brendshme, si dhe integrimi i vendit në strukturat euro-atlantike. Thaçi tha se partia e tij, me politikë konstruktive dhe të përgjegjshme do të vazhdojë të japë kontributin e saj maksimal në këto procese.

Për krizën politike me deputetin evropian ka diskutuar edhe kryeministri Nikolla Gruevski dhe nënkryetarja e LSDM-së opozitare, Radmilla Shekerinska.

Ndërkohë, javën e ardhshme pritet që Shkupin ta vizitojë komisioneri evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn. Siç bëhet e ditur, ai do të marrë pjesë në takimin e së martës mes katër udhëheqësve politikë për zgjidhjen e krizës.

Top Channel