Vapa përvëluese në Indi, shkon në 1400 numri i të vdekurve

29/05/2015 00:00

I nxehti nuk është diçka e pazakontë për Indinë, por këto dhjetë ditët e fundit ka qenë jashtë çdo parametri.

48 gradë shënoi termometri të mërkurën, në shtetet lindore të Jharkhand-it dhe Odisha-s.

Drejtuesit e automjeteve nuk janë thjesht të djersitur e të trullosur: ata nuk i ngasin dot makinat, sepse rrugët po shkrijnë, – thotë CNN. Vapa torturuese ka marrë deri tani 1400 jetë njerëzish.

I mbytur nga dhimbja, një burrë i moshuar i rrëfeu rrjetit televiziv amerikan se si ka humbur të birin 38-vjeçar prej goditjes nga i nxehti. Ai kishte dalë jashtë shtëpisë në pikun e vapës për t’i blerë të atit disa ilaçe.

Por cilët janë shkaqet e përvëlimit të frikshëm dhe sa parashikohet të zgjasë ai?

Shkencëtari i Instutit kërkimor Goddard i NASA-s, Benjamin Cook, mendon se faktori kryesor për këtë situatë mund të jetë ngrohja globale, edhe pse pa studime konkrete, – sqaron ai, – nuk dilet dot në përfundime të sakta se sa ndikon vërtet ndryshimi i klimës tek kushtet atmosferike ekstreme ne Indi.

Afrimi i musonëve besohet të jetë dhe ai një faktor, pasi pothuajse përherë paraprihet nga një mot shumë i nxehtë dhe i thatë. Nga vapa po vuajnë dhe Afganistani e Pakistani fqinj, megjithate India është prekur shumë me tepër se të tjerët, çka i detyrohet deri diku edhe gjeografise së saj: malet e larta e bllokojnë mbërritjen e fronteve të ftohta ajrore nga verilindja.

Parashikimet për periudhën afatgjatë, ndërkohë, nuk janë aspak optimiste. Studimet tregojnë se jugu i Indisë do të përballet me të tjera valë të nxehti ekstrem, të cilat si për këtë rajon, ashtu dhe për zona të tjera të vendit profetizohen të jenë akoma më të gjata, duke mbërritur deri në 30 ditë.

Top Channel