Finalja e “Top Fest 12”

29/05/2015 00:00

Mbrëmjen e 31 majit do të zhvillohet finalja e edicionit të 12 të “Top Fest”. Janë 12 artistë, në garë për 12 çmime të kategorive të ndryshme, plus atë për “Best video artist”. Janë këngët më të fundit të muzikës moderne shqiptare, të cilat do të performohen në skenën e Pallatit të Kongreseve, edhe nëpërmjet teknologjisë më të fundit.

“Është kënaqësi. Mund të them se, krahas teknikëve dhe kameramanëve tanë të mrekullueshëm, na janë shtuar këtë vit në staf edhe sektori i ndriçimit e i audios nga Italia. Është një nga shërbimet më të mira të Italisë, mund t’iu përmend se kanë bërë Olimpiadën e Socchit në Rusi, koncerte të U2, pra të gjithë koncertet e atyre që na bëjnë të gëzojmë, por edhe të qajmë”, u shpreh Ergys Lubonja, autor dhe regjisor i “Top Fest 12”.

“U bënë 12 vite, që unë merrem me skenografinë e Top Festit. Kjo natë është më magjikja, sepse është përdorur maksimalisht teknologjia më e mirë, që mund të qarkullojë sot në tregun e madh, qoftë edhe në rangun europian”, deklaroi më tej Fatmir Minga, skenograf i “Top Fest 12”.

“Sigurisht, edhe nga ana televizive dhe regjisoriale janë menduar shumë risi. Do të ketë teknologji të papërdorura ndonjëherë, që zakonisht përdoren nëpër filma dhe janë përshtatur për të qenë më së miri në këtë natë, e cila besoj se do të jetë realisht e paharrueshme”, shtoi regjisori dhe autori Ergys Lubonja.

Janë 400 robotë, që do të ndriçojnë skenën, ku do të performojnë artistët. E për të mbetur te teknologjia, “Top Fest” këtë vit ka qenë shumë aktiv në rrjetet sociale. Këngë të këtij edicioni kanë arritur të kenë në Youtube deri në mbi 5 milionë klikime.

Disa prej gjysmëfinalistëve u zgjodhën pikërisht prej numrit të madh të klikimeve të publikut në internet. Për çmimin “Most social artist”, votimi është ende i hapur. Për t’u fituar ky çmim, përpos votës në faqen e internetit të “Top Fest”, do të mblidhen edhe klikimet në rrjetet sociale.

Ledion Liço, përveç se autor, edhe prezantues i natës finale, së bashku me Dojna Memën. Producente: Lori Hoxha. 31 maj, për një finale të fortë konkurrimi mes disa prej artistëve më të mirë vendas dhe për një “show” me fjalën e fundit të teknologjisë.

Top Channel