Rama viziton Panairin e Punësimit: Revolucion në arsimin profesional

29/05/2015 00:00

Shkolla profesionale dhe agjensi punësimi janë mbledhur nën logon “Edukim, Specializim dhe Punësim” në Panairin Go-Pro, për të reklamuar shërbimet e tyre. Ky Panair u vizitua nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

“Në arsim të mesëm kemi 45 vende të lira pune. Sigurisht ka dhe për arsim të lartë po janë rreth 8 vetë që kanë të bëjnë me menaxhim të lartë, dhe me financierë të lartë. Nuk arrijmë të gjejmë njerëzit që njohin profesionin, elektricist, elektro-auto, mekanik, mekanik industrie”, është shprehur një specialist.

“Merrni juristë, se më shumë kemi juristë se metra katrorë. Faktikisht, kjo është dhe arsyeja që i kemi dhënë shumë arsimit profesional dhe do ta forcojmë në mënyrë të vazhdueshme”, u përgjigj Rama.

Ky Panair ka ngjallur edhe interesin e kompanive të huaja në fushën e rekrutimit.

Kemi nisur një revolucion të heshtur në arsim, – tha kryeministri Rama, – për të transformuar të gjithë organizimin e arsimit tonë, duke hapur një korsi të re në arsimin profesional.

“Jemi të bindur që trendi që ka filluar të kthehet në një mënyrë mjaft inkurajuese këtë vit, me një rritje të madh të interesit për shkollat e arsimit profesional, të thellohet. Do të fuqizojmë shumë infrastrukturën e arsimit profesional, po gjithmonë duke e parë të lidhur me tregun dhe kompanitë. 50-60% kohë në shkollë, 50-40 % kohë në ndërmarrje gjatë javës. Përndryshe, është iluzion që kemi profesionistë, sepse praktikisht nuk kemi asgjë siç ka mbetur, një boshllëk i madh në gjithë këtë periudhë”, tha Rama.

Sipas ministres Lindita Nikolla, në vitin 2014, fondi i akorduar nga qeveria për programet e nxitjes së punësimit u trefishua në shifrën 2.7 milionë dollarë, krahasuar me vitin 2013. Ndërsa për vitin 2015, fondi i nxitjes së punësimit u rrit në 4.5 milionë dollarë.

Top Channel