30 vite nga tragjedia me 39 viktima e “Heysel Stadium”. Luante Juventus ndaj Liverpool

29/05/2015 00:00

Kanë kaluar 30 vite nga momenti kur Eamonn McCabe kishte marrë detyrën për të punuar si fotograf në finalen e Kupës së Europës dhe njëra prej fotove të shkrepura prej tij u bë simbol i asaj nate. Fotoja u publikua nga gazeta “The Observer” dhe sigurisht fitoi çmimin si “fotolajmi i vitit”, në vitin e largët 1985.

“Kurrë nuk e kuptova se çfarë ndodhi, – thotë McCabe. – Ishte e tmerrshme dhe nuk do të doja kurrë të isha përfshirë në atë ngjarje”.

McCabe ishte tepër i lumtur që kishte marrë përsipër mbulimin si fotoreporter të një ndeshjeje të madhe, ku do të luante Juventusi me Liverpoolin. Në ato kohë, shumë pak ndeshje transmetoheshin drejtpërdrejt në televizion.

Të shihje Juventusin dhe fanelën e famshme të tyre bardhezi, drejtpërdrejt, dukej si të ishte një ngjarje “thriller”, e për më tepër kur dihet se do të luanin ndaj një klubi anglez, i cili kishte fituar Kupën e Europës për të 4-tin vit radhazi, një vit më parë (1984) në Romë.

“Liverpool ishte mbreti i Europës në futboll, – thotë McCabe. – Ishin kohët e arta të Dalglish dhe Rush. Isha në ankth, por arrita në kohën e duhur në stadiumin ku do të zhvillohej finalja”.

Por, pikërisht përpara se të niste ndeshja, McCabe kishte kuptuar që diçka nuk shkonte. Arriti të siguronte kalimin e nevojshëm për në atë, që supozohej të ishte fundi i gjysmëfushës nga ku do të sulmonte Liverpool. Tribunat në atë pjesë ishin ndarë në 3 seksione: dy prej të cilave, X dhe Y ishin për tifozët e “të kuqve”, ndërsa seksioni Z supozohej të ishte për qytetarët belgë, por pikërisht në atë natë ishte tejmbushur nga tifozë të zjarrtë të Juventusit.

Kushtet e stadiumit ishin të papërshtatshme, për të mos thënë skandaloze. Një sherr në tribunën e tifozëve shkaktoi shembjen e një muri, tragjedi e cila shkaktoi 39 viktima në seksionin Z të asaj pjese të stadiumit.

“Nuk e dija sesa keq mund të shkonin zhvillimet, – thotë McCabe. – Rrëmbeva në kohën e duhur një nga kamerat e mia të vogla dhe shkrepa dy foto. Kamerën e kisha lidhur përreth qafës. E kisha marrë për të siguruar disa foto të shpejta dhe nga afër të fituesve të asaj finaleje, me trofeun ndër duar, sigurisht pasi të përfundonte ndeshja”.

Vetëm pak më vonë, McCabe kuptoi se diçka, jo vetëm që kishte shkuar keq, por kishte përfunduar në tragjedi. Ai kishte dëgjuar britma, pa trupa të pajetë që zhvendoseshin në fushë, e ndërkohë arriti të bënte me shenja me duar, kundrejt seksionit të shtypit ku ndodheshin gazetarët anglezë, se më shumë se 30 persona kishin humbur jetën.

“Ishte gjëja më e tmerrshme që kam parë ndonjëherë, – rrëfen McCabe. – Nuk kisha parë kurrë më parë njerëz të shtrirë përpara meje, të pajetë”.

Edhe pse 39 persona kishin humbur jetën nga përplasjet, autoritetet kishin vendosur që ndeshja të vazhdonte dhe të luhej deri në fund. McCabe kujton se kishte marrë foto nga fitorja 1-0 e Juventusit, por kurrë nuk i kishte përpunuar ato. “Ishte ndeshja më e shpejtë që kam parë ndonjëherë. Nuk jam marrë kurrë me modifikimin e atyre fotove. Thjesht mendova se nëse futbolli ishte i tillë, duhej ta ruaje kujtim përmes fotove”.

Ato kohë nuk e njihnin internetin dhe fotografinë dixhitale, kështu që McCabe iu desh të udhëtonte gjatë e më pas të merrte trenin për t’u kthyer në zyrat e “The Observer” në Londër, përpara se të mund të publikonte fotot e tij nga tragjedia e Heiselit. Vetëm 4 ditë më vonë, fotot e tij u shfaqën në një seksion të gazetës, si një grup fotolajmesh. Njëra prej të cilave fitoi edhe çmimin si “fotoja e vitit”.

“Ishte një çmim që nuk do të doja ta fitoja kurrë, – thotë McCabe. – E di që e kam fituar dhe që ka mbetur e shënuar në CV-në time, por shpresoj që njerëzit të mos e dinë se për çfarë e kam fituar atë”.

FOTO GALERI
1/1
Kapitenët e dy ekipeve, përpara fillimit të ndeshjes

Top Channel