“Rusia po përgatitet për pushtimin e Ukrainës”. Kremlini zgjedh të mos komentojë

29/05/2015 00:00

Rusia është duke grumbulluar trupa tokësore, si dhe qindra mjete të artilerisë së rëndë; përfshi edhe lëshues raketash të lëvizshëm, tanke dhe artileri të tjera; në një bazë të improvizuar pranë kufirit me Ukrainën. Lajmi bëhet i ditur nga një reporter i agjencisë së lajmeve “Reuters”.

Shumë prej mjeteve në fjalë janë pa targa dhe shenja identifikuese, ndërkohë që personeli i shërbimit në to kanë hequr simbolet në uniformat ushtarake që mbajnë veshur. Si të tilla, ato përputhen thuajse tërësisht me disa prej forcave të pikasura në Ukrainën lindore, për të cilat Kievi dhe aleatët e Perëndimit akuzojnë se janë të dërguar “të fshehtë” rusë.

Pamjet nga vendngjarja, në bazën e Kuzminskit, rreth 50 km nga kufiri, ofrojnë disa nga dëshmitë më të qarta deri më sot, të asaj që mund të konsiderohet si një grumbullim i organizuar ushtarak i Rusisë në zonë.

Më herët gjatë këtij muaji, komandanti ushtarak i NATO-s, Gjeneral Philip Breedlove, tha se i ishte krijuar besimi që separatistët po shfrytëzonin armëpushimin për të fituar avantazhe, në mënyrë që të riarmatosen dhe të përgatiten për një ofensivë të re. Gjithsesi, ai nuk dha asnjë detaj specifik.

Rusia mohon që ushtria e saj të jetë përfshirë në konfliktin në lindje të Ukrainës, ku separatistët e mbështetur nga Moska kanë luftuar prej një kohe të gjatë me forcat besnike të qeverisë properëndimore të Kievit.

Ministri rus i Mbrojtjes tha se nuk mund të komentojë mbi grumbullimin masiv. Disa ushtarë kanë thënë se ishin dërguar në bazën në fjalë vetëm për stërvitje të thjeshta ushtarake, duke sugjeruar se prezenca e tyre nuk ka aspak lidhje me situatën në Ukrainë.

I pyetur nga “Reuters”, nëse kjo sasi e madhe ushtarakësh dhe mjetesh të artilerisë së rëndë pa simbole përgjatë kufirit, tregon se Rusia ka planifikuar të pushtojë Ukrainën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një konference telefonike me reporterët tha:

“Në formulimin e kësaj pyetjeje, frazën ‘nëse një pushtim është duke u përgatitur’ e konsideroj të papërshtatshme”.

Ndër armatimet që janë dërguar atje përfshihen edhe lëshuesit “Uragan” të predhave në seri, tanke dhe topa vetëlëvizës, armatime këto të cilat janë përdorur që të gjitha në konfliktin e Ukrainës lindore mes forcave të Kievit dhe separatistëve prorusë.

Sasia e mjeteve ushtarake në këtë bazë është thuajse 3-fishi më e madhe nga ajo e marsit të këtij viti, kur gazetarë të “Reuters” kanë qenë për herë të fundit në këtë zonë. Në atë kohë, vetëm disa dhjetëra mjete shiheshin lirshëm.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel