Kosovë, Avokati i Popullit: Gjuriç dhe Rakiç kanë shkelur Kushtetutën. Të ndiqen penalisht

29/05/2015 00:00

Avokati i Popullit në Kosovë kërkon të ndiqen penalisht kryetari i Komunës së Mitrovicës, Goran Rakiç, dhe përfaqësuesi i serbëve të veriut, Marko Gjuriç, për shkak se kanë vendosur në mënyrë të kundërligjshme të ashtuquajturin “Park i paqes” në urën e lumit Ibër.

Avokati i Popullit, i kërkon gjithashtu qeverisë të ndërmarrë masat e nevojshme për ta hequr këtë park, në mënyrë që të mundësohet lëvizja e lirë për njerëzit dhe automjetet.

Në një komunikatë për mediet, thuhet se “ngritja e ‘Parkut të paqes’ dhe sheshit ‘Car Lazar’ përbën jo vetëm një shkelje të ligjit, por edhe një shkelje të Kushtetutës dhe instrumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përkatësisht një shkelje të së drejtës për lëvizjen e lirë”.

Në komunikatë theksohet se, Marko Gjuriç, duke marrë pjesë në mënyrë aktive në ndarjen gjeoetnike të territorit të Kosovës, respektivisht qytetit të Mitrovicës, ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, duke cënuar me këtë rast të drejtën për lirinë e lëvizjes së individëve në territorin e Republikës së Kosovës, e për këtë arsye “përbën kërcënim për sigurinë shtetërore dhe rendin publik në Republikën e Kosovës”.

Edhe kryetari i komunës, Goran Rakiç, ka dështuar të bashkëpunojë me zyrtarët e tjerë në këtë çështje. Po kështu, i kërkohet qeverisë që t’i refuzojë hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës shtetasit të huaj, Marko Gjuriç, duke u bazuar në ligjin për të huajt.

Por, Avokati i Popullit ka vlerësuar se, edhe dy sheshe të ndërtuara nga pala shqiptare; sheshi “Adem Jashari” dhe sheshi “UÇK”; ndonëse nuk paraqesin asnjë kufizim të së drejtës për lëvizjen e lirë, janë të kundërligjshme.

Top Channel