SHBA heq formalisht Kubën nga lista e sponsorizuesve të terrorizmit

29/05/2015 00:00

Administrata “Obama” ka hequr edhe formalisht, këtë të premte, Kubën nga lista e shteteve sponsorizuese të terrorizmit, një hap deciziv në normalizimin e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Havanës, si dhe progresi më i fundit në shtysën e Presidentit Obama për të ngrohë marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe kombit ishullor.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry shfuqizoi përcaktimin e Kubës si një sponsorizuese e terrorizmit në fund të përiudhës së njoftimit të Kongresit prej 45 ditësh, që nisi më 14 prill, kur Obama njoftoi për herë të parë synimin e tij për të hequr Kubën nga kjo listë.

Lëvizja “reflekton vlerësimet se Kuba përmbush kriteret tona statutore për anulimin e atij përcaktimi”, tha Jeff Rathke, zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, përmes një deklarate. “E ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë shqetësime domethënëse dhe mosmarrëveshje me një gamë të gjerë të politikave dhe veprimeve të Kubës, këto nuk bien ndesh me kriteret përkatëse për anulimin e përcaktimit të një shteti ‘sponsorizues të terrorizmit’”, tha ai.

Kjo e fundit vjen në një kohë kur ka pasur shenja vështirësish në negociatat mes zyrtarëve amerikanë dhe kubanezë për të sjellë rihapjen historike mes dy vendeve të njoftuar prej Obamës në dhjetor të vitit të kaluar. Pavarësisht optimizmit të gjerë, zyrtarët dështuan javën e kaluar të arrinin një akord për rikthimin e marrëdhënieve diplomatike dhe hapjen e ambasadave përkatëse në të dy kryeqytetet e vendeve.

E megjithatë, heqja e Kubës nga lista e regjimeve mashtruese – ku aktualisht përfshihen Irani, Sudani dhe Siria, – është një hap i rëndësishëm i përpjekjeve të Presidentit Obama për të lënë pas krahëve armiqësinë prej periudhës së Luftës së Ftohtë, që karakterizoi marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Kubës për rreth një gjysmëshekulli.

Kubanezët e konsideruan futjen në listën e kombeve sponsorizuese të terrorizmit, që prej vitit 1982, si një të metë që dëmtonte imazhin e vendit dhe si pengesë praktike e aftësisë së saj për të punuar me bankat amerikane.

Top Channel