Greqi, të paktën 19 turistë rusë goditen nga rrufeja. Mes tyre 2 fëmijë

29/05/2015 00:00

Të paktën 19 turistë rusë, midis tyre edhe dy fëmijë të vegjël, janë goditur nga një rrufe gjatë vizitës së tyre në ambientet arkeologjike të Knoso, në ishullin e Kretës.

Gjatë transportimit të tyre në spitalin e Iraklios, një grua 46-vjeçare ka pësuar edhe infarkt dhe kurohet tashmë në repartin e Reanimacionit, në gjendje serioze për jetën.

9 prej turistëve kanë marrë plagë të lehta, kurse shumica e tyre kanë pësuar shok. Ngjarja ka ndodhur gjatë vizitës në ambientet e famshme arkeologjike në Knoso, kur papritmas kanë filluar reshjet e shiut dhe turistët, disa nën çadra dhe disa jo, kanë hyrë poshtë një peme për të mos u lagur.

“Për fat të keq na goditi rrufeja, pikërisht mbi vendin ku qëndronte grupi ynë. Shumë prej njerëzve u shembën përdhe, nuk i ndjenin këmbët e tyre. Disa kishin edhe goditje në kokë. Një vajzë ishte në gjendje shumë të keqe, i ra të fikët dhe e mori ambulanca. Pjesën tjetër të turistëve po i çojmë ose në spital, ose në hotel, nëse nuk janë lënduar”, tha një udhërrëfyes guide.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë mjete të shumta të ambulancës dhe ata janë dërguar në spital.

Specialistët po vëzhgojnë muzeumin arkeologjik, ku ka disa rrufepritëse, por kanë ndërprerë vizitat deri në përmirësimin e kushteve të motit.

Ky është rasti i tretë brenda një viti, kur rrufetë në Greqi shkaktojnë të plagosur apo viktima. Në shtator të 2014-s, një peshkatar humbi jetën nga rrufeja në Halkidhiki, gjatë një furtune në det, ndërsa dy muaj më vonë, një futbollist 28 vjeç humbi jetën nga goditja e rrufesë, gjatë një rrebeshi të papritur në një ndeshje futbolli, në ishullin e Evias.

Top Channel