Grekët, të shqetësuar për paratë. Radhë në marrjen e pensioneve

29/05/2015 00:00

Nën frikën e zërave se paratë në arkat e shtetit po mbarohen dhe vendi mund të falimentojë, mijëra pensionistë kanë shkuar prej orëve të para të mëngjesit të së premtes para degëve të bankave greke për të marrë pensionet e tyre, duke krijuar një radhë më të gjatë se zakonisht.

Megjithëse edhe sot pagesat janë bërë në rregull, përsëri në shumicën e grekëve mbizotëron shqetësimi dhe ankthi nëse qeveria Tsipras do t’ia dalë të nënshkruajë një marrëveshje me kreditorët e Greqisë në ditët e ardheshme.

“Jemi të shqetësuar, si mund të mos jemi të shqetësuar? Pyesim veten nëse do t’i marrim pensionet tona këtë muaj apo jo”, thotë një pensionist.

Një nga kërkesat e huadhënësve të Greqisë është pikërisht reduktimi i pensioneve, që Athina zyrtare deri tani e ka hedhur poshtë dhe deklaron se nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj.

Qeveria greke ka vetëm disa ditë afat, pasi më 5 qershor duhet të paguajë detyrimin e parë të një kësti prej 1.56 miliardë euro që duhet ta shlyejë tërësisht deri në fund të muajit tjetër.

Por në arkat e shtetit dihet që nuk ekzistojnë kaq para, ndaj dhe syte e të gjithëve janë tek negociatat e qeverisë me huadhënësit, të cilët në rast se mbyllet marrëveshja do të aprovojnë lëvrimin e këstit të fundit të ndihmës prej 7.2 miliardë euro, duke i dhënë frymëmarrje vendit për disa muaj.

“Negociatat duhet të kishin shkuar më mirë, por për fat të keq partnerët tanë nuk i kuptojnë dhe nuk i ndjejnë problemet e popullit grek”, thotë Stefanos Kotakis, shofer autobusi.

Ndërkohë vazhdon me ritme të pandalshme tërheqja e depozitave të qytetarëve nga bankat greke dhe niveli i tyre ka arritur sot në 139.4 miliardë euro, njësoj me atë të vitit 2004, pra të 11 viteve më parë.

Gjithashtu, sipas Shërbimit Kombëtar të Statistikave, vazhdon edhe recesioni i ekonomisë greke. Në tre muajt e fundit të 2014, PBB u reduktua me 0.4%, ndërsa edhe në tre muajt e parë të këtij viti ka një recesion prej 0.2%.

Top Channel