Laçi fiton Kupën e Shqipërisë, mposht 2-1 në finale Kukësin

29/05/2015 00:00

Ka përfunduar me fitoren e Laçit, 2-1 ndaj verilindorëve të Kukësit, finalja e Kupës së Shqipërisë për këtë edicion.

Një rezultat ky që vendos edhe verdiktin e fundit të sezonit që u mbyll me shpalljen kampion të Skënderbeut, të ndjekur nga Kukësi dhe Partizani, dy skuadra që do të luajnë në ndeshjet kualifikuese të Ligës së Europës, ndërkohë që i fundit që do t’iu bashkëngjitet atyre është Laçi, duke lënë kështu jashtë kupave të Europës bardheblutë e Tiranës.

Sa i përket ndeshjes së luajtur në “Qemal Stafa”, një stadium i mbushur vetëm në pjesët anësore të pjesës për karshi, respektivisht tribunat D1 dhe D3, ashtu sikurse dhe tribuna kryesore, dominimin e kanë pasur të besuarit e Armando Cungut, të cilët janë treguar më agresivë që në pjesën e parë, në minutën e 28 të së cilës kalojnë në avantazh me anë të Veliajt.

Megjithatë, përpara se ekipet t’u drejtoheshin dhomave të zhveshjes për pushimin midis dy pjesëve, Kukësi ka gjetur golin e barazimit të përkohshëm, me autor goli Hasanin, në minutën e 45-të.

Edhe pjesa e dytë ka folur më së shumti për bardhezinjtë nga Kurbini, të cilët pas disa ofensivave të pakonkretizuara, arrijnë të kalojnë sërish në avantazh në minutën e 60, me anë të Xhejmsit, duke vulosur kështu rezultatin deri në fund.

Top Channel