Pakistan, sulm ndaj pasagjerëve të dy autobusëve, 19 të vrarë

30/05/2015 00:00

Persona të armatosur në provincën e trazuar Balochistan të Pakistanit kanë sulmuar dy autobusë, duke vrarë të paktën 19 pasagjerë dhe kanë marrë peng disa të tjerë, kanë bërë të ditur zyrtarë vendas.

Ata kanë thënë se persona të paidentifikuar kanë ndaluar autobusët dhe pasi i kanë zbritur pasagjerët i kanë ekzekutuar me gjakftohtësi ata.

Deri tani asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj dy autobusëve, i cili ndodhi në afërsi të qytetit të Mastung-ut.

“Njerëzit e armatosur kishin veshur uniforma të forcave të sigurisë”, tha për “Reuters” një zyrtar vendas.

Prej kohësh situata në provincën Balochistan është tejet e trazuar, mes përleshjeve të separatistëve dhe forcave të sigurisë. Separatistët kanë ndërmarrë sulme të vazhdueshme ndaj qeverisë dhe objektivave ushtarake.

Zyrtarët vendas thonë se sulmet e fundit besohet të jetë një lëvizje taktike e kryengritësve të cilët synojnë të vënë nën presion forcat e sigurisë. Rebelët luftojnë prej kohësh për autonomi nga Islamabadi, pasi rajoni është i pasur me burime të shumta natyrore.

Top Channel