Zgjedhjet lokale në Itali, Antimafia publikon 16 “të padëshirueshëm”

30/05/2015 00:00

Vetëm një ditë para zgjedhjeve lokale në Itali, komisioni parlamentar i Antimafias ka zbuluar një listë me emrat e 16 kandidatëve të dyshuar për ryshfet  apo lidhje me krimin e organizuar, fakt ky që e ka vënë kryeministrin Matteo Renzi në një pozitë tepër të vështirë.

Emri që spikati më shumë në këtë listë, për shkak të profilit të lartë, ishte pikërisht Vincenzo De Luca, i cili kandidon nga radhët e Partisë Demokratike për rajonin jugor të Kampanias. Mbi De Lucan rëndojnë dyshime për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Por pas këtyre akuzave, kandidati në fjalë ka reaguar, duke e cilësuar komisionin Antimafia të kryesuar nga Rosy Bindi, si një organ që ka vetëm një qëllim: të përpiqet të rrëzoje në momentet e fundit rezultatin zgjedhor të së dielës.

De Luca pretendon se, sulmi është i pabazë. Ndaj, ai dhe disa zyrtarë të tjerë nga lista me 16 emra janë shprehur të gatshëm për një debat publik gjatë së shtunës me Bindin, për të vërtetuar të kundërtën.

Rreth 22 milionë votues do të marrin pjesë në votime të dielën, në 7 nga 20 rajonet e Italisë dhe më shumë se 1000 komunat. Zgjedhjet janë testi më i madh për kreun e qendrës së djathtë, njëkohësisht edhe kryeministrin e Italisë, Matteo Renzi, i cili triumfoi në zgjedhjet europiane të vitit të kaluar me 41 për qind të votave.

Pas tre viteve recesion ekonomik, Renzi po shpreson një rezultat të fortë që do t’i japë atij një mandat të ardhshëm për të vazhduar programin e reformave.

Megjithatë, skandali që i përket De Lucas dhe 15 emrave të tjerë si të dyshuar për lidhje me krimin, ka lënë gjurmët e para të hijes në fushatën parazgjedhore, por nëse nuk do të ketë një debat publik, i cili do të hedhë më shumë dritë mbi këtë çështje, ajo që mbetet për t’u pritur është rezultati i zgjedhjeve të së dielës.

Top Channel