Basha në Elbasan e Durrës: Më 21 Qershor të ndalim të keqen

30/05/2015 00:00

Nga bashkia e Elbasanit në atë të Durrësit, qytetarët i janë ankuar Lulzim Bashës për pamundësi reale mbijetese, që shkon deri tek skamja për t’u kuruar dhe për t’u ushqyer.

Tregtare: Energjinë po shyqyr, tani na e rritën prapë.
Basha: Sa të ka shkuar fatura mujore?
Tregtare: Ka raste 80.
Basha: Sa e ke pasur përpara, sa të shkonte?
Tregtare: 40.
Basha: Dyfishim, do me thënë.
Tregtare: Kemi 25 vjet këtu, si tani nuk ka bërë vaki. Nxijnë listat, nuk i mbledhim dot. Do më japësh një bukë veresie? Epo kjo është tmerr!
Basha: Vota për Partinë Demokratike, unë premtoj do të shkojë për paketën tonë të shpëtimit, të ulim taksën në minimum, më të ultën në Ballkan, të ulim çmimin e energjisë, që ato lekë që i çojmë për fatura e kamatë-vonesat, t’i kenë në xhepin e tyre, të vijnë e të blejnë bukë e të blejnë mallrat kryesore, të heqim TVSH-në për mallrat e shportës, që të paktën t’i paguajnë 20% më pak. Ç’ kuptim ka që shteti vjen e të merr 20% për vezën, bukën, kurse ai tjetri s’ka lekë të japë për bukën?!

Në zonën e Dumresë, banorët që kultivojnë duhan shprehen të zhgënjyer nga mosmbajtja e premtimeve për subvencion apo nga premtimi për uljen e çmimit të energjisë elektrike.

Tregtar: Na premtoi me 7 mijë lekë kilen e duhanit. Çmimi i duhanit sot është1500 lekë. Tani, ne ku të vemë?
Basha: Kostoja e proceseve është dyfishuar fare…
Tregtar: Dyfishuar jo, trefishuar.
Tregtar:  4 milionë e 600 me ka ardhur fatura e dritave
Basha: Për një muaj?
Tregtar: Tani ka vajt 9 milionë e ca, plus kamata…
Basha: Çfarë fabrike ke atje?
Tregtar: Asnjë fabrikë s’kam, kam një lokal të vogël. Kur më ka ardh ajo faturë, unë sa e kam hapur atëherë. 18 milionë në fshat, në një fshat të humbur?!
Basha: Kjo zgjidhet me votë dhe në 21 qershor ju keni mundësinë që këtë të keqe ta ndalni me votën tuaj por nga ana tjetër, duke votuar për Partinë Demokratike në 21 qershor, ju bëni një zgjedhje për platformën tonë të uljes së çmimit të energjisë me 25% dhe faljes së kamatë-vonesave për të gjithë banorët e Dumresë.

Nga Elbasani në Durrës, panarama nuk ndryshon. Pasi mori shumë ankesa nga gra që kanë vështirësi të mbijetesës së përditshme, Lulzim Basha tregoi ndryshimin, sipas tij, mes realitetit dhe deklaratave të Edi Ramës për respekt ndaj grave.

“I përdori gratë për të hequr rivalët e tij në parti dhe pastaj i detyroi gratë që të jepnin dorëheqjen që të fuste kriminelët në parlament. Ky është Edi Rama dhe respekti i tij për gratë”- tha Basha.

Lulzim Basha e konsideron 21 Qershorin si një mundësi që qytetarët duhet ta përdorin për një vendimarrje në favor të tyre.

“21 Qershori do jetë fitorja e zgjidhjeve për hallet tuaja, problemet tuaja, duke ulur taksat, duke ulur çmimet, duke bërë të mundur investime që të hapin vende pune dhe duke ndihmuar fermerët me investime në infrastrukturë dhe qytetarët me investime në shëndetësi e në arsim, duke qenë pranë jush me vepra, duke ndalur të keqen e duke hapur derën e  së mirës për çdo banor të Shënavlashit, për çdo banor të Rrashbullit e Shqipërisë”- u shpreh kreu i PD-së.

Top Channel