Blatter: Platini? Fal, por nuk harroj

30/05/2015 00:00

Blatter doli i plagosur, por jo i mundur nga skandali i radhës për korrupsion në radhët e FIFA-s, e për më tepër, ka gjetur edhe forcën për t’iu kundërvënë kundërshtarëve të tij.

Njëri prej tyre është edhe Michelle Platini, presidenti i UEFA-s, që pas shpërthimit të skandalit, ku FBI arrestoi 7 drejtues të lartë të FIFA-s, kërkoi dorëheqjen e Sepp Blatter.

Koloneli zviceran në pension refuzoi këtë kërkesë, madje u shpall edhe fitues në garën përballë rivalit të tij, Princ Bin Ali Hussein, i cili u tërhoq në raundin e dytë të votimit, pas rezultatit 133 me 73 në favor të Blatter në raundin e parë.

“Ajo e UEFA-s dhe e presidentit të saj ka qenë një fushatë e mirëfilltë urrejtjeje. Unë fal, por nuk harroj!”- deklaroi Blatter.

Në një intervistë për televizionin zviceran, RTS, 79-vjeçari deklaroi gjithashtu se do të vazhdojë bashkëpunimin me UEFA-n.

“Duhet të bashkëpunojmë dhe të kem marrëdhënie me Platini-në. FIFA nuk mund të mbijetojë pa UEFA-n dhe e anasjellta”- tha ai.

Blatter i cilësoi arrestimet nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe qëndrimet e Anglisë si të motivuara nga humbja e organizimit të botërorëve të ardhshëm.

“Shtetet e Bashkuara dhe Anglia ishin kandidate për të organizuar botërorët e ardhshëm, dhe humbëm. Askush nuk mund të ma mbushë mendjen se sulmet e tyre janë thjesht rastësi dhe nuk kanë lidhje me këtë”- deklaroi ai.

Top Channel