Protestë e familjarëve të të rënëve para luftës së UÇK-së

30/05/2015 00:00

Familjarë të dëshmorëve të rënë para luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë marshuar të shtunën në drejtim të Kryeministrisë me kërkesë përfshirjen e këtyre të rënëve në ligjin për kategoritë e luftës.

Gjatë marshimit u lexuan emrat e shumë të rënëve në periudha të ndryshme në ballafaqim me forcat policore ushtarake serbe, si Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gervalla, Kadri Zeka, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Fazli Grajqevci e të tjerë.

Ndërsa para Kryeministrisë u paraqit edhe kërkesa e familjarëve, në emër të të cilëve folën Naim Zhitia dhe Ilir Meha.

“I drejtohem qeverisë së Kosovës, gjegjësisht kryeministrit që ta zbatojnë ligjin, ligjin të cilin e ka miratuar Kuvendi i Kosovës. Ftoj Komisionin Qeveritar që mos të vazhdojë më tutje pa i futur në lista këtë kategori, përndryshe në histori do të shkruhen si të turpëruar”- deklaron Naim Zhitia, kryetar i KFDM, vëllai i dëshmorit Afrim Zhitia.

“Jemi mbledhur sot këtu që të shprehim mllefin dhe indinjatën tonë ndaj mosnjohjes së statusit të dëshmorit familjarëve tanë të rënë në periudha kohore të historisë së Kosovës për liri dhe atdhe. Prandaj kërkojmë nga instancat më të larta të qeverisë dhe shtetit tonë të ri, që të reflektojnë dhe të marrin seriozisht kërkesën tonë për njohjen e statusit të dëshmorit të të gjithë të rënëve në periudhën 1960 deri në luftën e fundit të UÇK-së”- thotë Ilir Meha, nipi i dëshmorit Tahir Meha.

Kryetari i Komisionit të Familjeve të Dëshmorëve të Kombit, Naim Zhitia tha se kanë ftuar edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës që t’i bashkëngjiten marshit protestues dhe e cilësoi si turp mospjesëmarrjen e tyre në protestë.

30 maji është zgjedhur pasi në vitin 1989, në ballafaqim me forcat policore ushtarake serbe, ka rënë heroi i kombit Ali Ajeti.

Top Channel