LDK mban zgjedhjet për kryetar

30/05/2015 00:00

Lidhja Demokratike e Kosovës të dielën zgjedh liderin e saj për një mandat katërvjeçar.

Kandidatët e konfirmuar për kryetar, deri më tani janë dy, Isa Mustafa që kërkon të rizgjedhet për një mandat të dytë, dhe deputetja më e votuar femër në Kosovë, Vjosa Osmani e cila kërkon ta sfidojë liderin e deritashëm.

Përderisa Isa Mustafa, si pikë të fortë për rizgjedhje e ka rezultatin e LDK-së e cila edhe pse nuk i fitoi zgjedhjet, udhëheq qeverinë, rivalja e tij Vjosa Osmani e kërkon votën me motivin se Mustafa e tradhtoi elektoratin e LDK-së, që ishte kundër koalicionit me Partinë e Hashim Thaçit.

Përveç Isa Mustafës dhe Vjosa Osmanit, edhe emrat e ish-kryetarit të LDK-së Fatmir Sejdiu si dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri janë përmendur si kandidatë të mundshëm për të hyrë në garë, por zyrtarisht mbetet të konfirmohet të dielën gjatë punimeve të kuvendit zgjedhor.

Por paqartësia politike se kush do të jetë kryetar i ri dhe cilët do të jenë kandidatët, po paraqet më pak problem se sa mjegulla procedurale që ka shkaktuar statuti i ri i LDK-së dhe dispozitat që rregullojnë zgjedhjen e kryetarit.

Sipas nenit 25 të statutit të LDK-së në zgjedhjet për kryetarë duhet të jenë më shumë se një kandidat, ndërsa votimi duhet të jetë i fshehtë.

Por po i njëjti nen, në pikën dy të tij thotë se kandidatura e secilit duhet të miratohet me 50 për qind plus 1 të delegatëve të pranishëm në kuvend zgjedhor dhe ky votim duhet të jetë i hapur.

Nga 355 delegatë që i ka kuvendi zgjedhor i LDK-së, pretendentët për kryetarë duhet që së pari të marrin besimin e 178 delegatëve për tu futur në garë.

Kuvendin zgjedhor të LDK-së që mbahet të dielën e ka përshëndetur përmes një video mesazhi edhe presidenti i partive popullore evropiane, ku bënë pjesë edhe LDK-ja.

“Ju duhet një parti e bashkuar nën lidership të fortë. Sot ju keni zgjedhjen në mes të disa kandidatëve, e cila tregon nivelin e debatit demokratik në parti. Kjo është shumë e rëndësishme për PPE kështu që, të gjithë kandidatëve ju unë uroj shumë suksese. Dhe ju uroj të gjithëve diskutime të frytshme”- thotë Joseph Daul, kryetar i Partive Popullore Evropiane

Që nga themelimi, Lidhja Demokratike e Kosovës ka pasur 3 kryetarë, ndërsa ishte partia më e votuar në Kosovë në kohën kur udhëhiqej nga presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova.

Top Channel