Shpend Ahmeti: Zaev nuk është zgjidhje. Gruevski të largohet

30/05/2015 00:00

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kritikuar ashpër kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski gjatë një ligjërate para studentëve shqiptarë në Shkup. Ai, tha se Gruevski duhet të ikë nga pushteti për shkak të politikës diskriminuese ndaj shqiptarëve dhe për shkak të aferave të tij që po zbulohen me skandalin e përgjimeve.

Por, nga ana tjetër, kreu i Prishtinës, porositi shqiptarët e Maqedonisë të mos e shohin liderin e opozitës maqedonase Zoran Zaev, si zgjidhje më të mirë për ta, pasi sipas tij, qasja e Zaevit dhe Gruevskit ndaj shqiptarëve nuk dallon.

“Duhet ta dëshmojnë konkretisht se cilat janë ato politika që do të ndryshojnë gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni. Rasti Monstra, duket se do të jetë e vërteta e Zaevit. A do ti publikojë ato dëshmi që i ka, apo nëse nuk i ka ato dëshmi le të tregon se nuk i posedon. Por, nëse posedon dëshmi dhe nuk i publikon edhe krahas faktit që sot kemi shqiptarë të pafajshëm në burg, atëherë ai do të jetë bashkëfajtor por dhe më keq se kaq sepse vazhdon të mos e thotë të vërtetën edhe kur nuk e di”- u shpreh Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës.

Ahmeti tha se problemet e shqiptarëve të Maqedonisë, duhet të zgjidhjen nga përfaqësuesit e tyre politik, të cilët i porositi të zbatojnë politikë të re për të avancuar interesat kombëtare.

“Vetëm një politikë e re shqiptare, jo politikan të ri, politikë e re, formë e organizimit të re, mos frika nga  artikulimi i qëllimeve tona në mënyrë paqësore, aty e shoh shpëpimin. Ne për Kumanovën tham, protestat në Shkup dhe jo lufta e paorganizuar në mënyrë të tillë që rezultoi ashtu sic e pamë. Them se vetëm politika e re do të na i përmisojë pozitën neve shqiptarëve karshi të tjerëve”- tha Ahmeti.

Kreu i Prishtinës Shpend Ahmeti, tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të angazhohen më seriozisht, që bashkëkombasit e tyre në Maqedoni të trajtohen në mënyrë të barabartë me maqedonasit.

Top Channel