Mustafa rizgjidhet në krye të LDK; Osmanit i mohohet kandidimi: Kjo është diktaturë

31/05/2015 00:00

Isa Mustafa rikonfirmohet kryetar i LDK-së. Udhëheqësi aktual është zgjedhur me votim të hapur. Sipas delegatit Rexhep Gjergji, ai është zgjedhur me vetëm dy vota kundër. Po me votim të hapur i është mohuar kandidatura Vjosa Osmanit.

Në një deklaratë për mediet, deputetja Osmani e quajti diktaturë këtë që ka ndodhur, ndërsa paralajmëroi se nuk do ta pranojë udhëheqësinë e re të LDK-së. I pakënaqur me mënyrën e votimit është edhe kryetari i nderit, Fatmir Sejdiu, i cili nuk kandidoi fare.

Punimet e Kuvendit të 8 Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës nisën mëngjesin e së dielës, ndërkohë që 10 delegatë të diasporës janë përjashtuar sipas vendimit të Kryesisë, i cili ka vlerësuar se zgjedhjet në dy degë, konkretisht në Zvicër dhe Gjermani, nuk janë zhvilluar në mënyrë të rregullt. Kjo ka shënuar edhe pakënaqësinë e parë për punën që po zhvillohet.

Brenda Kuvendit, menjëherë pas kryeministrit Mustafa, i cili bëri thirrje për unitet, e mori fjalën kryetari i nderit, Fatmir Sejdiu. Ai, fillimisht ftoi Kuvendin, që të marrë vendim për t’i lejuar delegatët e diasporës të hyjnë në Kuvend. Me të marrë Sejdiu fjalën, mediet janë detyruar të dalin jashtë sallës.

Përveç Isa Mustafës, kandidaturën e kishte paralajmëruar edhe deputetja Vjosa Osmani. Por, në mënyrë që t’i konfirmohej kandidatura, sipas Statutit të LDK-së, Osmanit i nevojiteshin 50% +1 vota të delegatëve, ose 178 delegatë nga 355 gjithsej që ka ky Kuvend.

Kuvendi i LDK-së vazhdoi punimet me dyer të mbyllura, ndërsa u mësua se delegatët diskutuan mbi heqjen e nenit 16 të rregullores, sipas të cilit nevojitej miratimi i kandidaturës për kryetar të LDK-së, përpara se të fillonte votimi i fshehtë. Burime brenda Kuvendit thanë se, disa delegatë këmbëngulën që të hiqej ky nen, pasi pamundësonte kandidimin e dy kandidatëve për kryetar.

FOTO GALERI
1/1
Pjesë nga rregullorja, apo Statuti i Kuvendit Zgjedhor të LDK-së

Top Channel