Carter, kritika të forta Kinës: Militarizimi i ishujve, kundër rregullave ndërkombëtare

31/05/2015 00:00

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, doli hapur me kritikat ndaj Pekinit, duke thënë se aktiviteti i tij në detin e Kinës Jugore nuk përputhet me rregullat ndërkombëtare dhe se, Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë militarizimin e mëtejshëm të territorit, mbi të cilin kanë pretendime edhe vende të tjera.

Shefi i Pentagonit deklaroi në konferencën e nivelit të lartë për sigurinë, të zhvilluar në Singapor, se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara nga ritmet e krijimit të ishujve dhe nga mundësia, që këto ishuj të përdoren për dislokime ushtarake nga Kina.

“T’i kthesh shkëmbinjtë nënujorë në një fushë aviacioni, nuk të ofron sovranitet apo të drejtën t’u mohosh lëvizjen ajrore apo detare vendeve të tjera. Me këto veprime në detin e Kinës Jugore, Pekini po vepron në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare dhe në kundërshtim me konsensusin, që të zgjedhim demokracinë dhe jo imponimin”, tha Ashton Carter, Sekretar i Mbrojtjes, SHBA.

Kina këmbëngul se gëzon sovranitet mbi pjesën më të madhe të detit të Kinës Jugore, ku kalojnë rrugë të rëndësishme të transportit ndërkombëtar. Ajo i hodhi poshtë akuzat amerikane për zgjerim e këmbëngul se pretendimet e veta territoriale në rajon janë jo vetëm paqësore, por edhe legjitime.

“Ndërtimet tona në disa ishuj e barriera koralore kanë pasur për qëllim përmirësimin e tyre, si dhe të kushteve të punës e jetesës së personelit të stacionuar atje”, deklaruan zyrtarë në Pekin. Ata kujtuan se Kina është gjithmonë e kujdesshme kur diskutohet për sigurinë detare, e madje u bënë thirrje vendeve të tjera të punojnë së bashku me të, për ta kthyer detin e Kinës Jugore në një det paqeje, miqësie dhe bashkëpunimi.

Top Channel