Iggy Azalea anulon turin e koncerteve

31/05/2015 00:00

Para disa kohësh ajo shtyu datat e turit të saj të koncerteve, por tani, Iggy Azalea ka anuluar fare turin e titulluar “The Great Escape”.

Përmes një deklarate zyrtare, e cila i është dërguar të gjithë personave që kanë blerë bileta, bëhet e ditur: “Turi i Iggy Azalea “The Great Escape”, i cili ishte caktuar këtë vjeshtë, është anuluar dhe rimbursimi i biletave do të bëhet në pikat ku janë blerë. Turi i radhës i Iggy-t do të organizohet në vitin 2016. Ju kërkojmë ndjesë për çfarëdolloj pakënaqësie”.

Këngëtarja australiane kishte planifikuar koncertin e saj të parë në San Diego, më 18 shtator, edhe pse më parë ishte menduar 14 prilli si data e parë e turneut në Kaliforni.

Por, duket se anulimi i turit ka sjellë një zhgënjim tepër të madh për fansat e saj, të cilët ishin pajisur edhe me bileta. Ata kanë reaguar ashpër nëpër rrjetet sociale.

Top Channel