Ukraina emëron ish-Presidentin gjeorgjian, Saakashvili, në krye të Odesës

31/05/2015 00:00

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko ka emëruar ish-Presidentin gjeorgjian, Mikheil Saakashvili, si guvernator të rajonit jugor të Ukrainës, Odesa, në një lëvizje të papritur e që me shumë mundësi do të irritojë Moskën.

“Mbreti i çokollatave”, siç njihet Poroshenko e zyrtarizoi këtë masë të shtunën në krah të Saakashvilit, në një ceremoni të mbajtur në Odesa, ku ai e përshkroi atë si një “mik të madh të Ukrainës”. Ai i dorëzoi Saakashvilit shtetësinë ukrainase, në mënyrë që të lehtësonte procedimin me këtë vendim.

Siguria në qytetin portual të Odesës, me dalje në Detin e Zi, por edhe në rajonet përreth tij është tepër shqetësuese për ukrainasit, që kur shpërtheu konflikti i separatistëve në Lindje të Ukrainës, pas aneksimit të Krimesë, që dyshohet të pasojë me të tjera zaptime.

Saakashvili zëvendëson Ihor Palytsia, një biznesmen i cili u emërua guvernator në majin e vitit të kaluar, pasi më shumë se 40 persona, shumica e të cilëve simpatizantë prorusë, mbetën të vdekur gjatë një zjarri të shpërthyer në port, gjatë një konfrontimi me demonstruesit properëndimorë.

Poroshenko, i cili po ndjek kursin e integrimit në Europë, në mënyrë që ta nxjerrë vendin e tij nga orbita ruse, ka emëruar disa individë jo me kombësi ukrainase në poste guvernatoriale, përfshi edhe Ministrinë e Financave, ku rolin drejtues e ka marrë Natalia Yaresko e lindur në Shtetet e Bashkuara.

Por, ky është i pari person i lindur jashtë Ukrainës, që emërohet në krye të një të ashtuquajture, për shkak të efekteve dhe rëndësisë, qeverie provinciale. Saakashvili është vlerësuar gjerësisht për ndërmarrjen e disa reformave radikale në Gjeorgji, si dhe për luftimin e korrupsionit gjatë periudhës së tij në pushtet, nga 2004-2013.

Por, drejtuesit aktualë të Gjeorgjisë e akuzojnë atë për abuzime me pushtetin dhe kanë kërkuar ekstradimin e tij. Ai mohon të ketë shkelur ligjet dhe thotë se akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht.

Ashtu si Poroshenko, edhe Saakashvili, vendi i të cilit zhvilloi një luftë të shkurtër me Rusinë në gusht të vitit 2008, është një nxitës i fuqishëm për anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Europian, si për vendlindjen e tij Gjeorgjinë, ashtu dhe për Ukrainën.

Menjëherë pas emërimit të tij, nga Moska ka reaguar kryeministri rus, Dmitry Medvedev. “Saakashvili, kryetar i rajonit të Odesës. Dhe shfaqja vazhdon… Sa keq për Ukrainën”. Në këtë rast, shfaqjen e ka konsideruar me ironi, duke e krahasuar me rutinën e një cirku.

Top Channel