Bankat angleze nisin hetime të brendshme pas investigimit të FBI-së ndaj FIFA-s

31/05/2015 00:00

Tre banka britanike kanë nisur hetime të brendshme për të parë nëse këto institucione financare janë përdorur apo jo për pagesat korruptive nga zyrtarët e FIFA-s, të cilët janë arrestuar në Zvicër të mërkurën e kësaj jave me udhërarreste të lëshuara prej FBI-së.

Në dokumentin referues të Byrosë Federale amerikane të Hetimit, ishin cituar dy banka “Standard Chartered”, “Barclays” si dhe “HSBC”, në lidhje me 14 personat e hetuar për ryshfete e korrupsion, por FBI nuk i akuzon ato për ndonjë veprim të kundërligjshëm.

7 prej 14 të hetuarve ishin zyrtarë të lartë të FIFA-s, të cilët u arrestuan në Zyrih përpara nisjes së punimeve të Kongresit, që rizgjodhi në krye të trupës më të lartë qeverisëse të futbollit botëror, Sepp Blatterin, për të pestin mandat radhazi.

“Barclays” dhe “HSBC” kanë refuzuar të japin ndonjë koment, ndërsa “Standard Chartered” bëri të ditur se do të mbikëqyrë çdo pagesë të bërë. Ndërkaq, Sekretari në hije i Shëndetësisë, i partisë Laburiste, Andy Burnham, ka bërë thirrje që Anglia të bojkotojë Kupën e ardhshme të Botës, më 2018.

Top Channel