SHBA, rrëzohet Akti Patriotik. Senati nuk arriti marrëveshje që ligji të qëndrojë në fuqi

01/06/2015 00:00

Autoriteteti ligjor i Agjencisë Amerikane të Kundërzbulimit për mbledhjen e tabulateve telefonike skadoi pasi Senati nuk e arriti dot marrëveshjen që do t’i lejonte ligjit mbetjen në fuqi.

I ashtëquajturi Akti Patriot u rrëzua në mesnatë. Dhoma e Lartë e Kongresit votoi sidoqoftë për avancimin e Aktit të Lirisë së mbështetur nga Shtëpia e Bardhë, në mënyrë që një formë e re e grumbullimit të të dhënave të mund të aprovohet gjatë ditëve në vijim.

Akti i Lirisë dikton shtimin e kontrolleve pas skandalit të përgjimeve, të ekspozuar nga ish-kontraktuesi i NSA-së, Eduard Snowden. Senatori republikan Rand Paul, kandidat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, ishte një ndër zërat më të fuqishëm kundër përshpejtimit të debatit që do të sillte riautorizimin e ligjit.

“Ne për lirinë tonë kemi luftuar aq fort, si do të heqim dorë? Mbledhja e të dhënave personale është e paligjshme dhe jokushtetuese”, tha Paul.

Komentet e Paul-it megjithatë zemëruan mjaft republikanë të tjerë të cilët dolën nga salla ndërkohë që ai fliste. Senatori John McCain u shpreh se kolegu po i jepte prioritet mbledhjes së fondeve dhe ambicieve të veta personale në vend që të mendonte për sigurinë kombëtare. Barack Obama i kishte bërë thirrje Senatit ta riautorizojë ligjin që merrte fund në mesnatë me argumentin se drafti i miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve ndalonte grumbullimin në masë të tabulateve, por i jepte mundësi Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të kontrollojë të dhënat e individëve të caktuar të përftuara nga kompanitë telefonike.

Top Channel