Parku Olimpik i Tiranës, Rama njofton nisjen e punimeve

01/06/2015 00:00

Parku Olimpik i Tiranës, një premtim i bërë dy vite më parë nga kryeministri Edi Rama, ka nisur këtë të hënë punën për t’u kthyer në realitet.

Një hapësirë, ku veç terreneve sportive do të përfshihen zyra të federatave të ndryshme, si dhe ambiente të posaçme për sportistët elitare, me një investim prej 6 milionë dollarësh nga buxheti i shtetit.

“Sot ne i hapim rrugë një projekti kompleks, që transformon gjithë këtë territor të rrënuar e të braktisur në një hapësirë sportive të rilindur, ku do të ketë vend për shumë kategori sportistësh dhe dashamirësish të sportit dhe ku do të ketë vend për federatat, që kanë 25 vjet që mbijetojnë nëpër skuta të mbetura që nga koha e vjetër dhe s’kanë asnjë zyrë. Në 18 muaj ne kemi bërë investime në sport saç janë bërë në 23 vjet të marra së bashku”, deklaroi Rama.

Ndërsa minsitrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla bëri një pasqyrë të të gjithë projektit.

“Ky kompleks do të ketë një pistë atletike me parametra olimpike, një fushë futbolli me parametra të UEFA-s, sallën e lojrave me dorë. Do të ketë një minipallat sporti, godinën e sporteve ujore, që përfshin një pishinë me trampolinë të standardeve olimpike. Do ketë qendrën e grumbullimit të sportistëve, godinën e administratave të sportit shqiptar, agjencinë e shërbimeve të sportit, një klinikë sportive dhe palestrën e peshëngritjes dhe mundjes”, saktësoi Nikolla.

Për të provuar seriozitetin e këtij projekti, Rama ka përmendur transformimin e stadiumit të Elbasanit, nisjen e punimeve për rikonstruksionin e atij të Shkodrës dhe më tej planin për stadiumin madhor të Tiranës.

Top Channel