U dha lajmin për vdekjen e prindërve, polici shkon në diplomim

01/06/2015 00:00

Më 24 maj, në Orange të Teksasit, çifti Riley dhe Emily Portie ishin duke udhëtuar me motorçikletë, kur u përplasën nga një shofer i dehur. Prindërit e pesë fëmijëve vdiqën në vend.

Oficeri Eric Ellison, nga departamenti i policisë u ngarkua me detyrën që të lajmëronte familjen për vdekjen aksidentale të çiftit. Kur ai shkoi në shtëpinë e tyre, gjeti vetëm djalin e tyre më të vogël, Kazzie, i cili ishte vetëm në shtëpi.

“Ishte një situatë e sikletshme”, rrëfen polici për BuzzFeed News. Kur Ellison ishte ulur me Kazzie, 18-vjeçari nuk dinte çtë bënte, ndërsa pritej të merrte diplomën e përfundimit të gjimnazit, në më pak se një javë më vonë. “Unë i thashë: Ti do të shkosh. Mami dhe babi do të jenë në rreshtin e parë duke të parë nga parajsa, dhe unë do të jem në vend të tyre”, i thotë Eric.

Polici i vjetër e mbajti premtimin, dhe shkoi në ceremoninë e diplomimit. “Mua më ra për pjesë të isha lajmëtari i një lajmi të keq për të, dhe e ndjeva se ishte gjëja më e mirë që duhej të bëja”, thotë Ellison.

Kur Kazzie morri diplomën, Ellison po e priste në fund të skenës. I gjithë auditori dha një duartrokitje të gjatë për Kazzie-n. Maturanti rrëfen për BuzzFeed se ka pasur mbështetje të jashtëzakonshme që nga dita kur prindërit humbën jetën në aksident.

Top Channel