1 Qershori në Kosovë, Mustafa: Prioritet të drejtat e të miturve

01/06/2015 00:00

Në Ditën ndërkombëtare të fëmijëve, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa takoi drejtoreshën rajonale të UNICEF-it, Marie Pierre Poirier, me të cilën diskutoi mbi të drejtat e fëmijëve.

Kryeministri Mustafa tha se qeveria ka përparësi hartimin e strategjisë dhe planit të veprimit për të drejtat e fëmijëve për 5 vitet e ardhshme dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor dhe cilësia në arsim janë detyrime të saj.

“Ne jemi të gjithë të detyruar që të sigurojmë kujdes më të mirë shëndetësor për fëmijët, të sigurojmë arsim cilësor, të sigurojmë që të gjithë fëmijët të jenë të përfshirë në procesin e shkollimit dhe të përmirësojmë dhe të ngremë aftësitë e tyre mësimore, të kemi një edukim i cili promovon paqe, respekt dhe kujdes ndaj ambientit”, deklaroi Mustafa.

Drejtoresha rajonale e UNICEF-it u prit edhe nga kryetari i  Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me të cilin pas takimit iu drejtua fëmijëve të 7 rajoneve, në një seancë simbolike të udhëhequr nga vetë nxënësit.

“Fëmijë të dashur, Kosova jonë ka shumë nevojë për ju. Ju jeni e ardhmja e Kosovës. Ne, Kuvendi i Kosovës, kemi shumë detyrime për ju. Çdo të drejtë kërkojeni, ne do ta realizojmë me ligjet të cilat do t’i aprovojnë, nga këto vende ku jeni ulur ju, deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha Veseli.

Ndërsa zonja Poirier vlerësoi lart gatishmërinë e institucioneve më të larta të vendit për bashkëpunim me fëmijët.

Ndërkohë, jashtë institucioneve janë mbajtur aktivitete të shumta për fëmijë, të organizuara nga Komuna e Prishtinës, Fakulteti i Edukimit, kopshte të kryeqytetit dhe organizata të ndryshme. Në nder të festës së fëmijëve është hapur edhe një panair i vogël i librave për fëmijë.

Top Channel