Provimi i patentës mbush 80 vjeç

01/06/2015 00:00

Provimi i patentës feston sot 80-vjetorin. Megjithatë, disa teste vullentare u zhvilluan në muajt e parë të vitit 1935, dhe zyrtarisht nisi në 1 qershor të atij viti.

Në atë kohë kushtonte 7 shilinga dhe 6 pens, 37.5 pens me vlerën e sotme, dhe testi i parë zgjati një orë e gjysëm. I pari që e kaloi ishte Ronald Beere.

Në 1934 ishin vetëm 1.5 milionë automjete në përdorim, por sot më shumë se 7 mijë persona janë vrarë nga aksidentet rrugore në Britani, raporton Daily Mirror.

Një vit nga futja e testit, numri i vdekjeve ra në 1 mijë. Një filmim i shkurtër tregon kohën kur nisi testi, në të cilin tregohet jo vetëm se çfarë duhet të bëjnë shoferët, por dhe disa praktika të këqija, si cigarja që mbahet në dorë jashtë dritares, dhe hedhja në rrugë.

Prej atëherë testi i patentës ka pësuar shumë ndryshime në Britani, por jo vetëm.

Edhe në Shqipëri në kohë të ndryshme testi i patentës ka patur rregulla të ndryshme. Në Shqipërinë komuniste, jo të gjithë mund të jepnin testin e patentës. Ai zgjaste dy vjet për personat që do të përdornin makineri të rënda.

Pas rënies së komunizmit, me shtimin edhe të mjeteve personale në vend, testimi i patentës u bë më masiv, duke e dhënë si provim kushdo që kishte dëshirë të pajisej me leje drejtimi. Në vitet e para autoshkolla zgjaste 1 muaj, ku testi teorik ndërthurej me atë praktik.

Ndërsa sot, mësimi i automjetit zgjat dy muaj. Në muajin e parë ka mësim teorik, në fund të të cilit jepet edhe provimi i teorisë. Derisa disa vite më parë, provimi teorik jepej me shkrim, ndërsa sot ai jepet në kompjuter, pranë drejtorisë përkatëse.

Nëse kalohet pozitivisht testi teorik, muajin e dytë nis praktika nga autoshkolla. Në fund të praktikës, jepet edhe testi i dytë, ai i praktikës, i cili mbyll edhe ciklin e autoshkollës dhe personi pajiset me leje drejtimi.

Top Channel