Maqedoni, vizita e Komisionerit Hahn për krizën në lupën e analistëve

01/06/2015 00:00

Bashkimi Evropian pret zgjidhje të shpejtë për krizën politike në Maqedoni. Kjo është porosia, që pritet të përcjellë të martën në Shkup, Komisioneri evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn, në takimin me 4 udhëheqësit e partive kryesore.

Analisti Sefer Tahiri pret që, prania e zotit Hahn në këtë takim të ndikojë, që udhëheqësit politikë në Shkup t’u qasen më seriozisht negociatave për zgjidhjen e ngërçit politik në vend.

“Mendoj se, pjesëmarrja e Komisionerit Hahn në takimin e së martës të udhëheqësve politikë do të hapë shtegun drejt zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni. Është një sinjal drejtuar kryeministrit, Nikolla Gruevski, që të pranojë qeverinë kalimtare, që pritet të jetë e ekspertëve, sepse nëse kryeministri mbetet në pozicionet e tij, duke mos pranuar këtë propozim të opozitës, mendoj se vendi do të mbetet në ‘status quo’ dhe në kolaps politik”, tha Sefer Tahiri, analist.

Analistët vlerësojnë se, dalja nga kriza do të jetë e vështirë. Ata kujtojnë gjithashtu se, në të kaluarën, takimet mes udhëheqësve politikë në Shkup nuk kanë dhënë rezultate dhe marrëveshjet e arritura në këto takime, asnjëherë nuk janë zbatuar në praktikë.

“Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se në Maqedoni, deri tani kemi pasur shumë takime udhëheqësish, që nuk kanë rezultuar me asgjë konkrete. Marrëveshjet formale, që kanë dalë prej atyre takimeve, asnjëherë nuk janë zbatuar dhe asnjëherë nuk kanë dhënë rezultate”, tha Isen Saliu, gazetar.

Nga ana tjetër, një ditë më parë, kryeministri Nikolla Gruevski ka hedhur poshtë çdo mundësi për dorëheqjen e tij dhe formimin e qeverisë kalimtare, duke e bërë të qartë se, nuk është i gatshëm të pranojë dy kërkesat kryesore të opozitës maqedonase për zgjidhjen e krizës politike. Ai tha se, në një vend demokratik, vetëm populli mund ta zgjedhë qeverinë.

Top Channel