Intervista “pa dorashka” e Ecclestone: Kam shkelur ligjin, por pa e ditur…

01/06/2015 00:00

E kërkonin prej kohësh një intervistë “të drejtpërdrejtë” për disa shpjegime në lidhje me aktualen dhe të ardhmen e Formula 1, ndaj dhe padroni i sportit më të “çmendur” të automobilizmit, Bernie Ecclestone, ua ka realizuar ëndrrën.

I pyetur për disa tema në lidhje me këtë sport nga tifozët, kreu aktual i F1 ka folur për kampionatin aktual, për të ardhmen e tij në udhëheqjen e kompeticionit më madhor të automobilizmit, si dhe për shumë gjëra të tjera mbi “pavdekshmërinë” e tij…

Sa i përket tërheqjes nga ky sport, Ecclestone është shprehur se “nuk ia kam haberin kur mund të ndodhë, por mendoj se ndoshta kur ta kuptoj që nuk do të jem në gjendje ta bëj siç duhet punën time”.

Nëse ka ndonjë pishman, që i ka ngelur gjatë periudhës së drejtimit të Formula 1? Sigurisht që po: “Bëhet fjalë për shitjen e aksioneve të kompanisë sime te gruaja ime e dytë. Ajo ia dha më pas një karteli, e tashmë nuk mund ta kem më kontrollin ndaj kompanisë”.

Një aspekt ndoshta shqetësues, por jo dhe aq, mbetet ai i rritjes së audiencës, apo interesit për Formula 1.

“Për këtë duhet të përgjigjet ndonjë tjetër. Diferenca mes asaj, që bëri të tërhiqte një interesim masiv të fansave ndaj këtij sporti 30 apo 40 vite më parë, dhe asaj që ka ndryshuar në kohët e sotme, ndoshta ka të bëjë me faktin që kemi edhe forma të tjera argëtimi. Dhe falë televizioneve, tashmë është tkurrur disi audienca e F1. Dikur, spektakle të tilla nuk kanë qenë të aksesueshme për këdo, ndërsa sot shihen nga të gjithë. Mendoni futbollin, ka me qindra e mijëra ndeshje në mbarë botën, ndërsa ne në Formula 1 ofrojmë vetëm 20 sfida në vit. Sponsorët investojnë në bazë të shfaqjes së tyre; në u ofrojmë vetëm 20 mënyra të ndryshme, në 20 pjesë të ndryshme të globit. Por, gjithsesi, nuk mund të krahasohemi me futbollin. Mendoni sesa ndeshje luhen çdo fundjavë, në secilin vend të botës… Thjesht bota ka ndryshuar”.

I pyetur nga një fans nëse mund ta konsiderojë veten “të pavdekshëm”, Bernie shprehet se “le të themi që kam qenë me fat, që kam bërë këtë punë për 40 vite me radhë”.

Duke u rikthyer te çështja e së ardhmes, ai ka një këshillë: Pasuesi im nuk duhet të jetë një individ i vetëm, por një grup personash, ku secili të ketë role të ndryshme. Besoj dhe shpresoj që të jetë shumë më mirë sesa aktualisht”.

Një kujtim ia dedikon edhe Schumacherit, edhe pse – siç deklaron vetë ai, – “nuk e kam takuar, sepse nuk dua ta shoh Michaelin në këto kushte. Dua ta kujtoj gjithmonë Michaelin e së kaluarës”.

Më pas është ngacmuar edhe për një opinion në lidhje me transferimin e 4 herë kampionit të botës, Sebastian Vettel, nga Red Bull te Ferrari. “Besoj se ka qenë gjëja më e duhur që ka bërë, në atë moment që i është ofruar”.

Një udhëheqës kaq i fuqishëm i një sporti “të çmendur” nuk mund të mos ishte fans edhe i sporteve të tjera, por ai veçon: “Në përgjithësi nuk më pëlqejnë sportet kolektive, edhe pse e kuptoj përse publiku është i apasionuar pas futbollit. Zakonisht preferoj sfidat e bukura, duelet kokë më kokë, si për shembull sfidat e tenisit”.

I guximshëm ka qenë një prej fansave, që e ka pyetur drejtpërdrejt në lidhje me ndonjë shkelje të mundshme ligjore, që mund të ketë bërë në të kaluarën, nëse e ka bërë. Dhe Ecclestone përgjigjet: Sigurisht që po, por nuk e kam ditur kurrë që kam shkelur ligjin.

Në mbyllje të “intervistës”, Bernie duket se fton edhe njëherë Flavio Briatoren të rikthehet në Formula 1. “Absolutisht që do të më pëlqente ta shihja sërish në këtë sport, ai ka ende shumë për t’i dhënë F1-shit”.

Top Channel