Presidencialet në SHBA, shpall kandidaturën republikani i radhës Lindsey Graham

01/06/2015 00:00

Senatori republikan i Karolinës së Jugut, Lindsey Graham është i fundit që ka shpallur kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara, gjë që e ka bërë nga vendlindja e tij Central, S.C., duke i shtuar kështu “turmës” së republikanëve një prej zërave më agresivë në lidhje me sigurinë kombëtare, me një fushatë që më së shumti është fokusuar në politikën e jashtme.

“Do të garoj për President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse jam i gatshëm të jem kryekomandant që në ditën e parë të punës, për të mbrojtur kombin tonë me një strategji të shëndoshë, me një ushtri të fuqishme, me aleanca të qëndrueshme dhe me një vendosmëri të palëkundshme”, u shpreh Graham përpara një turme mbështetësish. “Kam më shumë eksperiencë në lidhje me sigurinë tonë kombëtare, nga të gjithë kandidatët e tjerë të deritanishëm në këtë garë. Përfshi edhe ju, zonja Hillary”, ka vijuar më tej ai.

Vendimi i Graham, i cili pritej gjerësisht të ndodhte gjatë javëve të fundit, është kulmimi i asaj që mund të konsiderohet si muaj të tërë eksplorimi. Ai nisi një komitet eksplorues në janar, të quajtur “Siguri përmes forcës”, një refleksion i pozicionit të tij si një prej figurave më agresive në Partinë Republikane. Muajin e kaluar, ai la të nënkuptohej gjatë një interviste televizive, se së shpejti do të bënte një njoftim për të ardhmen e tij.

Graham futet në garën e Presidencialeve 2016 si një “skifter i vendosur ushtarak”, aty ku shumë prej rivalëve të tij e kanë dëshmuar tashmë një qëndrim të ashpër kundrejt terrorizmit, si dhe udhëheqësve të huaj që kundërshtojnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre. Lista e sfidave, me të cilat do të përballet ai është e gjatë e nis me kritikat nga disa aktivistë konservatorë, të cilët thonë se ai ka qenë më tepër liberal se ç’duhet.

Senatori i Karolinës Jugore ka kritikuar ashpër dhe vazhdimisht strategjinë e jashtme të Presidentit Obama, ashtu sikurse dhe pikëpamjet e politikës së jashtme të rivalit më të mundshëm të republikanëve për president, senatorit Rand Paul, të Kentucky-t. Ai ka bërë thirrje për strategji ushtarake më të fuqishme në Irak dhe Siri, si dhe ka paralajmëruar administratën Obama kundër përpjekjes për arritjen e një marrëveshjeje bërthamore me Iranin.

Sa i përket garës së Presidencialeve 2016, deri më tani nga republikanët kanë shpallur kandidaturat Ben Carson, neurokirurg; Ted Cruz, senator i Teksasit; Carly Fiorina, ish-shefe ekzekutive e HP; Mike Huckabee, ish-guvernator i Arkansasit; George Pataki, ish-guvernator i Nju Jorkut; Rand Paul, senator i Kentuckyt; Marco Rubio, senator i Floridës; dhe Rick Santorum, ish-senator i Pensilvanisë.

Ndërsa nga kampi rival, ai demokrat, kanë shpallur kandidaturat vetëm Hillary Clinton, ish-Sekretare e Shtetit; Martin O’Malley, ish-guvernator i Merilendit; si dhe Bernie Sanders, senator i Vermontit.

Top Channel