Prezanton programin me 5 prioritete, Halim Kosova: Tiranës i duhet menaxher, jo politikan

01/06/2015 00:00

Kandidati i opozitës për Tiranën, Halim Kosova prezantoi programin e tij për Tiranën, ku spikatën dy linja kryesore. Së pari, pikat e programit për të ndërtuar një qytet në shërbim të qytetarëve dhe, së dyti, që kryeqyteti të jetë larg konfiktit politik, duke zgjedhur menaxherin Halim Kosova dhe jo një politikan nën urdhra partiakë, siç e cilësoi ai rivalin Erion Veliaj.

“Gjatë këtyre 4 viteve, Tirana ka bërë progresin e saj, por jam i bindur se, pavarësisht ndryshimeve, ka ende shumë për të bërë dhe unë mezi pres të filloj nga puna. Unë nuk po kandidoj për karrierë politike, por për kryetar bashkie në Tiranë me qëllimin për të ulur taksat për familjet dhe biznesin; të përmirësoj higjienën e qytetit; të përmirësoj kushtet në sistemin arsimor; të shtroj rrugë e trotuare; të kujdesem për shtresat në nevojë. Çelësi i gjithë kësaj, shtylla mbi të cilën do të ndërtojmë bashkërisht këtë qytet, është përdorimi i parave që do të sigurojmë përmes taksave të ulura në mënyrë të mençur dhe tërësisht transparente. Këtij qyteti i duhet më shumë një menaxher, sesa një politikan, që ju e keni parë se japin leje ndërtimi për të përforcuar pozicionet brenda partisë, që mund ta shkatërrojnë qytetin shumë më lehtë për hir të konsolidimit të karrierës në parti apo politikë. Jashtë modestisë, dua t’iu them diçka: unë e kam bërë menaxherin gjithë këto vite, ndoshta më shumë se kushdo. Para se të kaloj në pikat e programit, dua t’iu them me gojën plot se eksperienca botërore, por edhe e imja personale, ka treguar se menaxheri, më shumë se eksperienca, është talent që lind dhe nuk bëhet me urdhër. Aq më tepër kur urdhri është partiak. Pikërisht te kjo pikë guxoj me bindjen e plotë t’ia kërkoj votën, jo vetëm demokratëve tanë, nga i pari tek i fundit; jo vetëm qytetarit pa parti të Tiranës; jo vetëm të rinjve e të rejave, që po votojnë për herë të parë; por edhe socialistëve. Te kjo pikë ua kërkoj me ngulm votën. Keni në dorë jo thjesht të tashmen e të ardhmen e qytetit tuaj; por të ardhmen, lirinë, dinjitetin e fëmijëve, nipërve dhe mbesave tuaja”, është shprehur kandidati i opozitës, Halim Kosova.

Në fund të fjalimit, Halim Kosova ftoi për një kafe pune kryeministrin Edi Rama, për të dhënë mesazhin se, qeveria është e gatshme të bashkëpunojë me Halim Kosovën si kryebashkiak, dhe se nuk ndan qytetarët në demokratë dhe socialistë.

Top Channel