Rrugëtimi artistik i Stenald Mëhillit

01/06/2015 00:00

Rrugëtimi i tij nisi aty, ku prej 4 sezonesh përzgjidhet zëri më i mirë i shqiptarëve, “The Voice of Albania”. Stenald Mëhilli u prezantua si një i ri plot talent dhe energji, i cili që në performancën e parë bindi Alma Bektashin, që të kthente karrigen për ta bërë pjesë të skuadrës së saj.

E ndërsa gara bëhej edhe më e fortë, Stenaldi vazhdonte të shkëlqente. Sa herë që ai merrte pjesë, shoqëruese e pandarë ishte mamaja e tij, Flutura. Historia e Stenaldit kishte prekur të gjithë. Ishte vetëm gjashtëmuajsh, kur mjekët konstatuan problemet me shikimin, që fatkeqësisht ishin të pakthyeshme. Pamundësia për të parë nuk e pengonte aspak, për të shfaqur aftësitë e tij muzikore.

E pasi  rrugëtimi i tij në “The Voice” përfundoi, zgjodhi të marrë pjesë në “Top Fest”, me këngën “Flas me diellin”.

Në natën e madhe të ndarjes së çmimeve, performanca e Stenaldit ishte plot emocione, gjë që bëri publikun të ngrihej në këmbë… e duartrokitjet s’kishin të sosur.

“Është një emocion i jashtëzakonshëm, ju falënderoj shumë të gjithëve. Ishte një kënaqësi shumë e madhe dhe ju kërkoj të falur. Është një moment që e kam shumë të vështirë të gjej fjalët e duhura, por do të përpiqem sidoqoftë, duke filluar me përshëndetjen time për Olti Currin dhe Elvis Duron. Oltin, për një tekst të mrekullueshëm, ndërsa Elvisin për një muzikë dhe orkestrim të shkëlqyer, e për të vazhduar me këtë publik, për të cilin çdo artist performon. Ju dua shumë, jeni të jashtëzakonshëm, jeni arsyeja përse ne jemi në skenë sot. Për të vazhduar më pas me gjënë më të rëndësishme për mua, që është familja. Faleminderit shumë mamasë sime që më ka mbështetur në çdo hap dhe jam krenar për të”, u shpreh Stenaldi, pas marrjes së trofeut të çmimit “Best Balade”, në natën finale të “Top Fest 12”.

Top Channel