E ardhmja e Kloop, gjermani larg futbollit për një vit

01/06/2015 00:00

Jurgen Kloop nuk do të marrë në drejtim asnjë skuadër këtë vit. Lajmin e ka konfirmuar vetë gjermani i cili ka thënë se ka nevojë për pushim, pas disa viteve në krye të stolit të Dortmundit.

“Pas shtatë viteve intenzive dhe emocionale, mendoj se është ide e mirë që kujtimet e bukura që kam kaluar me Dortmundin të zgjasin edhe pak. Kam vendosur të pushoj deri në një njoftim të ri. Mendoj se është mirë për mua dhe për stafin tim. Do të rikthehemi të freskët dhe më të motivuar”,- ka thënë Kloop.

Ai ka qenë i lidhur me shumë skuadra europiane, por duket se gjermani nuk është bindur nga asnjëra. Në vitin e ardhshëm, shumë skuadra të mëdha europiane do kërkojnë trajner, pasi skadojnë kontratat me teknikët e tyre aktual.

Pep Guardiola ende nuk ka rinovuar me bavarezët, ndërsa ka zëra që mbështesin Kloopin për pasardhës të spanjollit në verën e 2016-s. Gjithashtu, Manuel Pellegrini i Cityt pritet të mbarojë aventurën e tij në Angli, ndërsa edhe Liverpooli pritet të ndryshojë trajner, nëse jo këtë vit, në atë që na pret me patjetër.

Në Itali, Milan, Inter dhe Roma vazhdojnë të jenë nën hijen e “zonjës” nga Torino, prandaj mossuksesi në sezonin e ardhshëm mund t’u kushtojë trajnerëve aktual. E vetmja pengesë mes Kloop dhe skuadrave italiane janë financat, pasi nuk mund t’i ofrojnë pagë të lartë.

Top Channel