Veliaj, në Njësinë 3: Mbi 300 probleme të identifikuara

01/06/2015 00:00

Rrugët e degraduara, higjiena, problemet me objektet arsimore dhe legalizimet te Kodra e Priftit, janë vetëm disa nga problemet që kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ka identifikuar në Njesinë 3.

Në një takim me banorët e kësaj zone, ku ka prezantuar programin e zhvillimit për këtë Njësi, Veliaj ka identifikuar gjithsej 310 probleme konkrete.

“Menjëherë t’i përveshim mëngët dhe të fillojmë punën, se Tirana ka katër vjet që pret të fillojë puna. Miqtë e mi, ne kemi një vit e gjysmë me qeverinë e re. Unë jam shumë i ndërgjegjshëm, Lindita është shumë e ndërgjegjshme, që ambicia është shumë më e lartë se gjërat që kemi arritur deri më tani, por një gjë ua them me siguri të plotë: ne jemi në drejtimin e duhur”, është shprehur Veliaj.

“Këta e kanë tani Bashkinë, këta për dallim nga ne që duhet të flasim për të ardhmen, këta momentalisht e kanë Bashkinë. Thoshte që do të bëjmë namin në sport, do të dyfishojmë sportistët elitar, por unë bëj një pyetje: po ju, pse do të dyfishoni sportistët e Tiranës? Ju paguani këta që keni. Nuk e di nëse e keni dëgjuar Refik Halilin, presidentin e KF Tirana… Tha në katër vjet, Bashkia më ka dhënë 3 milionë e 600 mijë lekë të vjetra. Sot, futbollistët e Tiranës, kanë katër vjet pa paguar sigurimet shoqërore, e çfarë ekipi është ky?”, ka vazhduar kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës.

Top Channel