Greqia bie dakord me kreditorët për “zgjidhje urgjente”, ende jo për likuiditetin

01/06/2015 00:00

Greqia dhe huadhënësit e saj europianë duket se kanë rënë dakord mbi nevojën për të arritur një marrëveshje sa më të shpejtë për këmbimin e parave “cash” në favor të reformave, pasi Athina tejkaloi një afat limit të vetëvendosur për ditën e diel, për arritjen e një marrëveshjeje zhbllokuese për ndihmat.

Athina dhe huadhënësit nga Eurozona dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar janë përfshirë në një “ngërç” bisedimesh prej muajsh të tërë, për shkak të mosdakordësimit për ndërmarrjen e një sërë reformave. Pa një marrëveshje, Athina rrezikon pamundësinë për të paguar, apo edhe falimentin brenda pak javësh.

Presioni është intensifikuar së tepërmi gjatë ditëve të fundit, pasi Athina ndodhet përballë pagesës së këstit të radhës së borxhit kundrejt FMN-së më 5 qershor, ashtu sikurse dhe me skadimin e programit të shpëthimit më 30 qershor.

Qeveria ka bërë të ditur se synonte të arrinte një marrëveshje deri të dielën e ardhshme, por burime pranë bisedimeve, në të ashtuquajturën grupi i Brukselit me kreditorë nga BE-FMN, thonë se kjo është e pamundur.

Në një bisedë telefonike gjatë së dielës me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, si dhe Presidentin francez, Francois Hollande, – e dyta në 4 ditët e fundit – kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka bërë thirrje për një zgjidhje politike të shqetësimeve ekonomike të vendit.

“Telekonferenca u zhvillua nën një klimë tepër pozitive”, ka bërë të ditur një zyrtar grek, duke shtuar se të tre udhëheqësit pranuan nevojën e një marrëveshjeje të shpejtë.

Tsipras ka kërkuar prej kohësh një zgjidhje politike për t’i dhënë fund negociatave dhe për të siguruar ndihmat financiare në vendin e tij të goditur nga mungesa e likuiditetit. Por, huadhënësit kanë këmbëngulur, që Greqia t’i ngrejë diskutimet në nivel teknik, duke ofruar lëshimet e duhura në ndërmarrjen e reformave, në mënyrë që buxheti i shtetit të mbushet dhe borxhi të ulet.

Në një shkrim të publikuar në të përditshmen franceze “Le Monde”, të dielën, Tsipras tha se Greqia nuk duhet fajësuar për mosarritjen e një marrëveshjeje deri më tani me kreditorët e saj, madje bëri thirrje ndaj huadhënësve europianë të tejkalojnë bisedimet teknike dhe të pranojnë një zgjidhje politike.

“Nëse nuk kemi arritur një marrëveshje me partnerët tanë, kjo nuk është për shkak të papajtueshmërisë sonë, apo pozicionin e pakuptueshëm nga pala greke”, shkruante Tsipras. “Kjo është për shkak të fiksimit të disa përfaqësuesve të këtyre institucioneve, të cilët këmbëngulin mbi zgjidhje të paarsyeshme, dhe po tregohen indiferentë ndaj rezultateve demokratike të zgjedhjeve të fundit në Greqi”.

Ai ka thënë se qeveria greke ka qenë e gatshme për të bërë kompromis, për shembull në lidhje me privatizimet, pavarësisht kundërshtisë ideologjike të kësaj force politike ndaj tyre. Por, reformat e punësimit dhe pensioneve duken se janë ndër çështjet kyç të ngërçit me Athinën.

Top Channel