Nikoliç viziton zonën e Preshevës, shmang qytetin dhe qytetarët

01/06/2015 00:00

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç ka vizituar jugun e Serbisë dhe ushtarët, në bazat ushtarake në afërsi të Preshevës, por nuk ka vizituar qytetin dhe nuk ka biseduar me qytetarët.

Ai ka thënë se ushtria është e gatshme të luftojë kundër terorrizmit dhe se Serbia ka arritur të parandalojë ngjarje si ajo e Kumanovës. Më tej, ai ka thënë se qytetarët nuk duhet të largohen nga këto zona, duke mos saktësuar përkatësinë etnike se kujt i është referuar për të mos u larguar.

“Kjo nuk është gjë e mirë, sepse ne jemi pak dhe shkalla e lindshmërisë është e ulët në Serbi. Nuk e dimë se ku do të përfundonim nëse largohen njerëzit dhe se kush do të vinte të jetonte në këto zona nëse largohen vendasit”, tha Tomislav Nikoliç, President i Serbisë.

Deputetët dhe kryetarët e komunave, ku jetojnë shqiptarët, nuk e kanë takuar Presidentin, pavarësisht se ishin të ftuar në qytetin e Vrajës dhe jo në vendet ku ata jetojnë. Nikoliç, megjithatë, ka thënë se më e rëndësishmja është sesi do të jetohet në të ardhmen.

Top Channel