Rasti “Elonis” në SHBA, Gjykata Supreme rrëzon akuzat për kërcënime në “Facebook”

02/06/2015 00:00

Gjykata Supreme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka rrëzuar akuzat ndaj një personi për kërcënime në “Facebook” ndaj ish-bashkëshortes dhe disa personave të tjerë.

Gjykata vendosi 8 me 1 në favor të Anthony Elonis në një rast i cili shqyrton çështjen mbi kufijtë e fjalës së lirë në internet. Sipas Gjykatës, Elonis nuk mund të dënohet vetëm mbi bazën se një person mund t’i cilësojë komentet e tij në rrjetet sociale si kërcënim.

Një gjykatë themelore në Pensilvani e kishte dënuar personin në fjalë me 4 vjet heqje lirie për shkak të postimeve të tij në “Facebook”.

Postimi në rrjetin social nga Anthony Elonis ishte bërë në 2010-n, kur ai ishte ndarë nga bashkëshortja. Përmes vargjeve të muzikës ‘rap’, ai kërcënonte se do ta vriste ish-gruan e tij, ndërsa në tekst ishte edhe shprehja “do të pres fytin”.

Shtatë gjykatësit votuan për ta pushuar çështjen, ndërsa njëri prej tyre tha se ai mendonte se çështja duhet të shkonte për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit.

“Ne jemi të kënaqur që Gjykata Supreme dha vendimin e duhur për këtë rast, i cili ishte një dënim penal i pa dhënë ndonjëherë për një ‘krim’ të tillë”, u shpreh avokati i Elonis, John Elwood.

Ndërkohë, kreu i Gjykatës Supreme, John G. Roberts Jr, tha se ‘prokurorët duhet të sjellin prova më bindëse, ndërsa duhet marrë parasysh edhe gjendja mendore e personit të pandehur’.

Analistët shprehen se një vendim i tillë mund të ndikojë në rritjen e numrit të rasteve të ngacmimeve, apo kërcënimeve online.

Top Channel